
TIRANË- Agjencia Kombëtare e Diasporës nga kjo e mërkurë do të jetë nën varësinë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Këtë e ka bërë me dije ministri i Jashtëm Igli Hasani pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë. Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, kjo bëhet bazuar në nevojat aktuale të realiteteve në të cilat jetojmë.
Igli Hasani: Këshilli i Ministrave vendosi një formatim të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, një agjenci e cila ka ekzistuar edhe më parë por tani është pjesë e Ministrisë së Jashtme. Si vazhdim i detyrimeve që morën në Samitin e Diasporës me idenë e dëshirën për të pasur sa më shumë përpjekje të mira e zhvillim për ata shqiptarë që jetojnë jashtë vendit por kanë nevojën dhe domosdoshmërinë për të pasur një angazhim institucional me vendin amë dhe krijimin e kësaj agjencie pranë Ministrisë së Jashtme si mekanizëm i nevojshëm i punës së ministrisë bazuar në nevojat aktuale të realiteteve në të cilat jetojmë./ZËRI