
TIRANË- Vetëm dy deputetë të opozitës kanë qenë të pranishëm sot në Komisionin për Çështjet Europiane, i cili drejtohet nga Jorida Tabaku. Kjo e fundit e nisi mbledhjen me një qëndrim politik, dhe më pas vendosi që mbledhja të vazhdojë pa praninë e kamerave. Tabaku theksoi se opozita mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por nga ana tjetër akuzoi mazhorancën për akte korruptive dhe që pengon sundimin e ligjit.
“Ne mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. PD e ka nisur këtë proces dhe do ta përfundojë pa rënë pre e asnjë provokimi. E konsiderojmë këtë proces si mënyrën e vetme për të transformuar vendin. Ky është një hap që duhet të ishte pjesë e një procesi të gjatë transformues. Besojmë se një hap më shumë drejt BE duhet të shërbejë për ndërtimin e një demokracie perëndimore. Por nga ana tjetër me keqardhje vëmë re se një sërë kriteresh sot janë të paplotësuara. Kemi parë mungesën e vullneti politik për një reformë zgjedhore. Përdorimi i institucioneve shtetërore për të ndikuar në votime dhe zgjedhje ne mendojmë që duhet të ketë një zgjidhje brenda vitit 2024 jo në vitin 2025 ashtu siç e gjykon mazhoranca. Balanca e pushteteve janë sot në rrezik.
Për herë të parë Shqipëria ka cënuar shkeljen e MSA ku kalojnë ligje me porosi që cënojnë konkurrencën. Korrupsioni sistemik ndikon në mënyrë shumë të thellë strukturat e qeverisjes. Besojmë që një shtet i korruptuar është produkt i një lidhje të ngushtë mes kapjes së institucioneve dhe ndikimit të grupeve kriminale. Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore. Për të siguruar një sistem drejtësie efikas është e nevojshme të adresohen sfidat aktuale.
Nuk mund të kemi Shqipëri perëndimore kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, ndërkohë që opozita sulmohet politikisht. Politika shkon e vjen, ky proces është për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ky është qëndrim që unë doja ta mbaja për transparencë. Mbledhja do të vazhdojë pa kamera”, u shpreh Tabaku.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi tha se sjellja e Tabakut nuk ishte qytetare. Sipas tij Komisioni nuk mund të përdoret nga opozita për axhendën e tyre politike, dhe se mbledhja nuk mund të nisë me një qëndrim politik.
“Ta fillosh një mbledhje pa e deklaruar të hapur, pa parë nëse ka kuorum ose nëse s’ka, pa njoftuar se çfarë kemi në diskutim, të shfrytëzosh këtë mikrofon për të bërë deklarata, është shumë politike por nuk është qytetare. Kjo deklaratë politike do t’ju lutesha qytetarisht të paktën këtu jo, të mos kemi marrje peng të mikrofonit dhe të vazhdojmë me deklarata politike duke injoruar atë që pritet sot nga ne. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Procedura ishte totalisht e nëpërkëmbur”, u shpreh Peleshi.