Politikë

Arrestimi i Salianjit dhe dhuna në Kuvend, opozita braktis mbledhjet e komisioneve parlamentare

Pas ditës së djeshme, ku dhuna ishte kryefjalë në sallën e Kuvendit, deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë sot në mbledhjet e komisioneve

E.K
Arrestimi i Salianjit dhe dhuna në Kuvend, opozita braktis mbledhjet e
komisioni per politiken e jashtme

TIRANË- Një ditë pas akteve të dhunës në Kuvend, si shenjë proteste për arrestimin e deputetit Ervin Salianji, gjatë ditës së sotme opozita ka vendosur që të bojkotojë mbledhjen e të gjitha komisioneve parlamentare. Në axhendën e ditës së sotme në Kuvend parashikohej mbledhja e 4 komisioneve parlamentare, të cilat pritet që të vijojnë vetëm me deputetët e Partisë Socialiste.

Seanca e djeshme në Kuvend zgjati më pak se 20 minuta, ndërsa u shoqërua me akte dhune nga deputetët e opozitës. Opozita shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. 

Menjëherë pas seancës, deputetët e PS-së mblodhën firmat dhe kërkuan masa disiplinore për 24 nga kolegët e tyre në opozitë, ndërsa vendimi pritet që të merret në Komisionin e Etikës.

Përveç radikalizimit të qëndrimit në Kuvend, opozita ka lajmëruar një protestë mbarë kombëtare më 7 tetor në orën 18:00 që do të nisë para Kryeministrisë dhe do të shpërndahet në të gjitha rrugët e kryeqytetit, një pjesë e të cilave pritet që të bllokohen. /ZËRI

Poll

MOS HUMB