
GREQI- Vizita e paralajmëruar e kryeministrit Edi Rama, për të takuar shqiptarët në Greqi, duket se ka trazuar ujërat në Athinë, dhe është në pikëpyetje nëse do të zhvillohet apo jo deri në momentet e fundit. Pak ditë më parë Rama njoftoi se do të niste turin e takimeve me diasporën pikërisht nga Athina, që duket se nuk është pritur mirë, edhe për shkak të datës që lideri shqiptar kishte zgjedhur për axhendën e tij. Data 12 Maj përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, i cili njëherësh ështe dhe kandidat për eurodeputet, nga radhët e partisë së kryeministrit Mitsotakis.
Ka qenë Kathimerini, një media e afërt me qeverinë, që ka bënë në pikëpyetje takimin e Ramës në Athinë.
Sipas medias greke, takimi i Ramës me emigrantët shqiptar në Greqi, ishte planifikuar që të mbahej në Sallën Olimpike Galatsi, përpara se leja të anulohej nga bashkia për shkak të aktiviteteve të tjera të planifikuara. Ndërkohë që një tjetër sallë e kontaktuar nga socialistët ka refuzuar rezervimin për në datën 12 Maj.
Kathimerini shkruan se deri tani në Ministrinë e Jashtme greke, nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare për vizitën e Ramës në Greqi, edhe pse ajo do të jetë jozyrtare.
“Kryeministri shqiptar kishte bërë të ditur jozyrtarisht synimin e tij për të vizituar Athinën përmes bashkëpunëtorit të ngushtë Endri Fuga, i cili ishte në Greqi pak ditë më parë.
Ministria e Jashtme greke informoi Fugën se duke pasur parasysh fazën në të cilën ndodhet Greqia për shkak të zgjedhjeve evropiane, do të ishte e preferueshme që vizita të shtyhej pas datës 9 qershor”, thuhet mes të tjerave në shkrimin e medias greke.
Sipas zërave në Athinë, Rama e mori vendimin për të vizituar Greqinë, menjëherë pas njoftimit për kandidimin e Fredi Belerit listën e kandidatëve europianë të Partisë Demokracia e Re.
Simbolika e 12 majit gjithashtu nuk u humbet vëzhguesve pasi data shënon saktësisht një vit nga arrestimi i Belerit. Rasti i Belerit, ka shkaktuar një sërë përplasjesh mes dy vendeve, ndërsa Greqia pretendon se gjyqi i tij ishte i motivuar politikisht dhe se sundimi i ligjit ishte shkelur.
“Duke pasur parasysh ngjarjet në Himare, qeveria sigurisht nuk dëshiron që udhëtimi i Ramës të ushqejë konfliktin e brendshëm politik në prag të zgjedhjeve të ndezura nga çështja Beleri, e cila mund të shkaktojë edhe reagimin e votuesve etnikë grekë nga Shqipëria në Athinë”, përfundon shkrimin Kathimerini.
Ky përbën rastin e parë në fakt, që një kryeministri shqiptar i vështirësohet axhenda në Athinë. Vetë Mitsotakis e ka vizituar shpesh komunitetin grek në jug të Shqipërisë, ndërsa në zgjedhjet e fundit dhjetra politikanë grekë u angazhuan në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kryesisht në Himarë.
/ZËRI