Politikë

Bardhi para protestuesve: Shqipëria do të bëhet vend i mundësive

Gazment Bardhi nga protesta e opozitës dha mesazhin se nuk do të dorëzohen edhe pse lufta është e pabarabartë.

f.t
Bardhi para protestuesve: Shqipëria do të bëhet vend i
Gazment Bardhi

TIRANË-Gazment Bardhi ka marrë fjalën në podiumin e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke ju thënë demokratëve se ata ishin frymëzimi për bashkimin të fraksioneve që ishin krijuar në Partinë Demokratike. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi nga protesta e opozitës dha mesazhin se nuk do të dorëzohen edhe pse lufta është e pabarabartë.

Bardhi  deklaroi se Shqipëria sot është e zhytur në korrupsion dhe krim. Bardhi tha se Edi Rama po mbjell krim dhe frikë dhe për opozitën. Ai shtoi se me qytetarët përkrah, opozita do ia dalë që të vijë në pushtet dhe të bëjë një vend më të mirë. Më tej në fjalën e tij Bardhi theksoi se në kullat e Tiranës në fakt pastrohen para. Ai shtoi se afera e inceneratorëve dhe të tjera skandale e kanë nxirë këtë qeveri, që sipas tij, është kundër çdo qytetari.

Gazment Bradhi: Sot në këtë shesh liria ka emrin e secilit prej jush. Ne jemi sot këtu për të thënë se nuk dorëzohemi! Se nuk e falim lirinë tonë! Se refuzojmë një demokraci fasadë! Ne duam të ndërtojmë një shtet që respekton dhe nuk shkel të drejtat e qytetarëve! Që nuk ushtron pushtetin për të blerë, përçarë dhe shpërbërë opozitën! Ne duam një qeveri që punon për të pasuruar shqiptarët dhe jo pushtetarët! Duam një qeveri të përkushtuar ndaj rinisë, jo të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe oligarkët, që kanë zhdukur ekonominë e lirë, sipërmarrrjen e ndershme, që sjell zhvillim të vërtetë!

Sot, ne vërtetë jemi në opozitë. Vërtetë kemi kaluar momente të vështira, ndonjëherë jo të denja për të qenë në lartësinë tuaj, të dashur demokratë dhe qytetarë! Por ne sot kemi me vete pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë politike opozitare: ne kemi me vete kurajon tuaj! Kemi dinjitetin tuaj! Kemi dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin tuaj për të fituar! Ju të gjithë ketu jeni pasuria më e madhe që ka Shqipëria! Që mbani gjallë frymën e lirisë! Që nuk dorëzoheni! Që frymëzoni me qindra e mijëra shqiptarë të tjerë brenda dhe jashtë vendit! Sot, të gjithë shqiptarët e ndershëm janë krah jush me mendje e zemër! Ata që nuk janë këtu, ju shohin, ju mbështesin dhe duan të jenë si ju! Ju ishit arsyeja dhe frymëzimi ynë për t’u bashkuar dhe jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për Partinë Demokratike! Për opozitën! Për shqiptarët dhe Shqipërinë!

Sot ne jemi bërë të gjithë bashkë, si e vetmja rrugë, si e vetmja mundësi për t’u përballur me të keqen. Në këto 10 vite ne e kemi provuar se e keqja e vendit ka emrin e kryeministrit të Shqipërisë, aleatit kryesor të krimit, që po shkatërron para syve tanë të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve shqiptare, të ardhmen e vendit. Përtej fasadës, përtej propagandës së qeverisë, janë dy botë të ndryshme, të destinuara të qëndrojmë përballë njëra-tjetës. Njëra është bota juaj, bota jonë, bota e njerëzve të lirë të këtij vendi që nuk dorëzohen! Që duan ndryshimin, që e duan Shqipërinë një vend të zhvilluar, vendin e mundësive të barabarta për të gjithë. Përballë nesh qëndron Edi Rama në botën e tij, që mbjell vetëm korrupsion, krim, varfëri, pabarazi, shpopullim.

Më këto 10 vjet, Edi Rama ka përdorur metoda antidemokratike për të qendruar në pushtet, për të përhapur frikë, për të shuar zërin e protestës. Por ju sot jeni prova më e madhe se ai ka dështuar. Ne nuk kemi frikë! Ne dimë dhe duam të përballemi. Kjo është një luftë e pabarabartë, por ne nuk dorëzohemi! Sepse ne nuk i dorëzojmë lirinë tonë as Edi Ramës, as askujt! 1/4 e shqiptarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë. Gati gjysma e popullsisë rrezikon të jetë e varfër. Ata që kanë një punë të mirë, po mbyten me taksa.  Në një dekadë, Shqipëria është kthyer në një parcelë të madhe që i shërben pasurimit të pak njerëzve, të lidhur me pushtetin. Pasurimit të padrejtë, me korrupsion, me zhvatjen e pasurive kombëtare, duke varfëruar pjesën tjetër.

Vendi ynë po jeton në ketë kaos të madh, pa asnjë perspektivë të mirë. Nuk janë kullat ato që na tregojnë sa mirë jemi. Shumë prej tyre janë pastrim parash të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me ortakë të fshehur nga qeveria.

Afera skandaloze e incineratorëve na tregoi se sa e korruptuar është kjo qeveri. Se asgjë nuk ecën përpara, nëse nuk bëhen pjesë e fitimit Edi Rama apo Erion Veliaj. Me korrupsionin e tyre, ata zhbëjnë çdo ditë mundësitë për rininë. Zhbëjnë shpresat e prindërve për fëmijët. Zhbëjnë ëndrrat për rritjen e mirëqenies së çdo familje që jeton me punë të ndershme. A duhet ne të rrime kokëulur dhe të pranojmë fatin që Edi Rama shkruan për ne? Kurrë! Prania juaj sot është mesazhi më i mirë për çdo shqiptar! Me kokën lart të gjithë! Ne reagojmë! Ne nuk nënshtrohemi! Ne refuzojmë padrejtësitë! Ne refuzojmë të bëhemi fasadë e pushtetit të Edi Ramës! Prandaj ne po luftojmë pa u dorëzuar!

Poll

MOS HUMB