
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka shkarkuar nga funksionet në grupin e PD-së deputetët që mbështesin Lulzim Bashën dhe vetë këtë të fundit. Ndërsa në shkresën e dorëzuar në Kuvend më 29 Maj, Bardhi kërkon dhe rikthimin e Sali Berishës në grupin e PD, pasi kryedemoktrati figuron si deputet jashtë grupit në listën e Kuvendit.
Në letrën dorëzuar Kryeparlamentares, Lindita Nikolla, Bardhi njofton se ka shkarkuar nga Këshilli i Mandatave, Enkelejd Alibeaj, duke e zëvendësuar me Oerd Bylykbashin. Ky i fundit ka zëvendësuar dhe Lulzim Bashën në Asamblenë për bashkëpunimin e Evropës Perëndimore, ndërsa ndryshime ka pasur dhe në disa Komisione apo organizime të Kuvendit. Ndërkohë në shkresë, Bardhi njofton Kuvendin se tashmë me ndryshimet e fundit, Ervin Salianji dhe Albana Vokshi janë nënkryetarë të grupit.


Si ishte përbërja e Këshillit për Mandatet! Ndryshimet e Bardhit (vetëm emrat e opozitës)
Gazment Bardhi Gazment Bardhi
Enkelejd Alibeaj Ervin salianji
Oerd Bylykbashi Oerd Bylykbashi
Greta Bardeli Dhurata Çupi
Saimir Korreshi Saimir Korreshi
Mos leximi i kërkesës së Bardhit nga Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, solli dhe debate të forta në Kuvend. Ndërkohë që jashtë, protestuesit opozitarë ishin mbledhur në një protestë kombëtare, ku nuk munguan përplasjet e forta me Policinë dhe djegia e gomave./ZËRI