
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës, se po bëhet pazar mes Rithemelimit dhe PS-së për çështjen e amnistisë.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Kuvendin, kryeministri duhet të ishte në Kuvend, dhe të jepte llogari për dosjen Xibraka. Ju jeni dëshmitarë, që për amnistitë ka pasur gjithnjë një dakordësi me bazë të gjerë, ne jemi kujdesur që ky draft të jetë i njëjtë, me atë që ka votuar edhe opozita kur drejtohej nga zoti Basha. Me ndryshimin që asnjë zyrtar dhe asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk do të përfitojë asnjëlloj aministie. Janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës, nuk ka asnjë zyrtar të arrestuar që do të përfitojë nga kjo amnisti. Mazhoranca u tërhoq nga variant që u miratua në Komisionin e Ligjeve, dhe pranoi amandamentet tona”, u shpreh Bardhi.
Bardhi tha se nuk do të përfitojë asnjë zyrtar i lartë, apo drejtor, të cilët janë subjekt i deklarimit të pasurive.
‘Në vitin 2014 ka pasur ulje dënimi për cilindo, në këtë rast asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk përfiton nga amnistia. Kjo çështje është për trajtuar për të shmangur vëmendjen nga çështja kryesore që është ajo e Olsi Ramës. Ne jemi human me njerëzit e zakonshëm, por ne i japim fund pandëshkueshmërisë”, vijoi Bardhi.
/ZËRI