
GREQI- Mundësia për të futur emrin e Fredi Belerit si eurodeputet nga Demokracia e Re, ka sjellë përplasje në Greqi, ndërsa pritet që të mbyllet lista me emrat e 42 kandidatëve.
Ndërsa deri dje në mbrëmje dukej sikur emri i Belerit nuk do të përfshihej në listë, mediat greke, ka disa orë që thonë se ka shumë mundësi që emri i 42 të jetë i Fredi Belerit. Emri i Belerit ka sjellë përplasje dhe në nivelet e larta të politikës greke.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis dhe këshilltarja për politikën e Jashtme pranë kryeministrit grek Aleksandra Papadhopoulou, të cilët janë shprehur se vendosja e Belerit në listën blu për eurodeputetët, do ta kthente këtë çështje nga europiane në dypalëshe me Shqipërinë.
Nga ana tjetër kahu ekstremit të djathtë tek konservatorët i përfaqësuar nga ministri i Shtetit Makis Voridhis këmbëngul për kandidaturën e Fredi Belerit, pasi shohin se partia e ekstremit të djathtë dhe filoruse “Zgjedhja greke” ka dyfishuar përqindjet e saj në sondazhet e fundit duke flirtuar me vendin e 4 nga 9 partitë parlamentare.
Gjithësesi shumica e mediave greke vlerësojnë se përfundimisht Kyriakos Mitsotakis ka marrë vendimin për ta përfshirë Belerin në listën e tij dhe do ta deklarojë atë në orën 18.00 ora greke./ZËRI