
TIRANË- Kryeministri Edi Rama teksa renditi disa prej projekteve kryesore që pritet të zbatohen në Shkodër, dha lajmin se po përgatitet një konkurs ndërkombëtar për rilindjen totale të hotel ‘Rozafës’. Ai shtoi me humor se ky lajm do të jepej nga Beneti, por ekskluzivitetin për projektin e dha vetë kreu i qeverisë.
"Për shembull Benetit do t'i ngelet hatri se do ta thoshte vetë i pari, po përgatisim një konkurs kombëtar për të rilindur komplet hotel Rozafën që është një hotel tradicional, historik dhe aty do të bëjmë një zhvillim një ikonë të re që do të jetë pikë referimi për Shkodrën e së nesërmes dhe do ta bajmë dhe me konkurs ndërkombëtar siç kemi bërë edhe në Tiranën, me arkitekt me famë botërore. Do të vijnë në Shkodër do të prezantojnë projektet. Vetëm kohë dhe durim dhe të gjitha do i bëjmë. Edhe zogajn edhe shpellajn edhe rëndësi që sa t'ju kemi ju nuk na merr njeri në sysh, ju syri dmth", tha ai.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Shkodër një takim me kryebashkiakët, dhe një pjesë të ministrave, ku janë analizuar puna e sfidat e pushtetit vendor. Të pranishëm në këtë takim janë dhe një pjesë e kryebashkiakëve të djathtë që dolën fitues në zgjedhjet e Majit të vitit të kaluar./ZËRI