
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prej 30 dhjetorit është i mbyllur në banesën e tij. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që ta mbajë në "arrest shtëpie", për një afat të pacaktuar. Mund të jetë disa javë, por edhe muaj. Poshtë banesës së tij, kryedemokrati ka një oficer policie që e ndalon të dalë nga pallati, rrjedhimisht e ndalon që të kryejë detyrën e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Mirëpo nëse demokratët vendosin që ta presin për aq kohë sa do të duhet liderin e tyre, me Parlamentin nuk funksionon kështu. Ka afate dhe ligje!
Nëse do të bëhen 6 muaj mungesë që nga data e fundit e paraqitjes së Berishës në Kuvend, që ishte 21 dhjetori, Kushtetuta e detyron ndërprerjen e mandatit si deputet i qarkut Tiranë. Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 71, pika 2, germa d, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon 6 muaj rresht në Kuvend. Ose, duhet të ketë një arsye shumë të fortë për të justifikuar mungesën e tij në sallë. Në këtë rast, nuk dihet nëse masa e arrestit, dhënë nga Gjykata e Posaçme, mund të përdoret si arsye që Berisha të mbajë mandatin e tij. Por nisur nga premisa e maxhorancës ndaj lëvizjeve të fundit të opozitës, gjasat janë që jo.
Kështu që përveçse në garë me drejtësinë që e ka sfiduar hapur, Berisha është në garë edhe me kohën...të paktën për të qenë deputet, pasi pozicionin e kryedemokratit deri më tani duket se e ka të pacënuar nga askush. Se si do të zgjidhet ky ngërç ligjor, mbetet për t'u parë në muaj të vijim. Por me shumë gjasa, duke parë edhe ritmin e zhvillimit të proceseve të tjera gjyqësore, edhe dosja "Partizani" do të zgjasë. Berisha nga ana e tij, të vetmen gjë që mund të bëjë për të ndihmuar pozitën e tij është që të bashkëpunojë me SPAK dhe hetuesit, por që nga fjalimi i djeshëm duket se ka pak gjasa të ndodhë./ZËRI