
TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, që ndodhet në “arrest shtëpie”, ka shkelur për të disatën herë vendimin e GJKKO-së. Ai e bëri një gjë të tillë edhe gjatë mbrëmjes së sotme.
Edhe pse e ka të ndaluar të flasë me persona të tjerë, përveç familjarëve, Berisha dhe këtë mbrëmje ka dalë në dritaren e shtëpisë dhe ka nisur të mbajë fjalim për qytetarët, që janë mbledhur poshtë pallatit të tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Kjo është mbrëmja e katërt që Berisha flet nga dritarja për qytetarët, që ndodhen jashtë në rrugë. Ky veprim i tij përbën dhe shkelje të vendimit të drejtësisë.
Kjo është hera e katërt që Berisha shkel vendimin e GJKKO-së duke dalë në dritaren e shtëpisë, ndërsa e shkeli vendimin e gjykatës duke folur edhe për medien gjermane “Bild”.
Që prej 30 dhjetorit 2023, Berisha qëndron në masën “arrest shtëpie” ndërsa i ndalohet komunikimi me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë në një banesë me të. Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion në rastin e dosjes "Partizani"./ZËRI/