
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar mbi lajmin e një ditë më parë, kur u njoftua se Sali Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK-u për akuzën e korrupsionit pasiv, të funksionarëve të lartë shtetëror.
Reagimi i Metës ka ardhur përmes një deklarate për media, duke u shprehur se ky vendim i marrë nga Prokuroria e Posaçme nuk është i bazuar në fakte, e se sipas tij, nuk ekzistojnë dokumente që e lidhin Berishën me veprën penale.
Për Metën, vendimi i marrë nga SPAK-u qëndron si një akuzë politike ndaj demokratit si dhe një mënyrë për të asgjësuar opozitën.
“Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit për të marrë të pandehur pa prova, fakte dhe pa dokumente liderin historik të PD, profesor doktor Sali Berishën nuk është gjë tjetër veçse një akuzë politike e diktuar nga Edi Rama në funksion të axhendës së tij elektorale me qëllim asgjësimin me cdo mjet të opozitës dhe të pluralizimit politik”, tha Meta.
"Shërbimi i verbër që SPAK-u po i bën Narkoshtetit duke goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij, si edhe një tradhti kombëtare ndaj Shqipërisë që ka nevojë ulëritëse për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta.
Është ky SPAK që as nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, jo vetëm për çështjen e Sali Berishës por edhe për shumë çështje të tjera ku firmat e tij janë hedhur mbi afera kriminale", vijoi Meta.
Berisha u mor dje i pandehur nga SPAK, pas më shumë se 9 muajsh që ai mbahet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.