
TIRANË- Është mbledhur këtë të hënë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ku është diskutuar në lidhje me axhendën parlamentare të kësaj jave.
Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, kreu i grupit Blendi Çuçi bëri një përmbledhje të axhendës parlamentare për javën e re, si dhe kërkoi pjesëmarrje të deputetëve sidomos në seancën e ditës së enjtes kur pritet të kalojnë disa marrëveshje të rëndësishme, mes tyre edhe Protokolli me Italinë për Bashkëpunimin në fushën e Emigracionit.
Lidhur me amnistinë penale, Çuçi tha se nëse do të arritet dakordësi me opozitën edhe ky ligj do të përfshihet në seancën e ditës së enjte.
Ai shprehu dakordësi në parim për të zgjeruar bazën e përfituesve prej amnistisë ashtu sikundër ka propozuar edhe opozita. Shqetësim për miratimin pa vonesa të këtij ligji shprehu gjatë mbledhjes edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Nga aministia në burgje pritet që të përfitojnë rreth 350 të dënuar./ZËRI