Politikë

“Censi”/ Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut përplasen në Pustec

Në Bashkinë e Pustecit, sipas Censit të zhvilluar në vitin 2011 jetojnë 3300 banorë, të cilët janë vetëdeklaruar si minoritarë maqedonas, por në vitin 2017 pati ndryshime.

k.m.
“Censi”/ Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut përplasen në
Foto ilustruese

SHQIPËRI- Përplasja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ka gjetur "fushë-betejën" e radhës në Shqipëri. Me fillimin e regjistrimit të popullsisë në vendin tonë në bashkinë minoritare të Pustecit, interesat për të pasur sa më shumë banorë që deklarojnë etnitetin e tyre si bullgar apo maqedonas, ka nxitur interesin mes palëve. Disa ditë pas nisjes së regjistrimit, ambasadori bullgar Ivaylo Kirov mori pjesë në dhurimin e disa pajisjeve dhe mjeteve për qendrën shëndetësore të Pustecit, duke i deklaruar si një donacion që nuk ka lidhje me Censin 2023. 

“Ky është një projekt i nisur para Censusit. I njëjti projekt që ka sjellë dhe mjekë me herët. Sa i takon pritshmërive për rezultatin e Censusit, Bullgaria nuk lufton për numra e kushdo është i mirëpritur për të shprehur etninë e vet. Se nuk është qëllimi për të luftuar me vëllezërit e Maqedonisë së Veriut,”– tha ambasadori bullgar Ivaylo Kirov.

Pas largimit të tij nga Pusteci, menjëherë ka ardhur një takim nga ana e nënkryetari i Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim e ka akuzuar për propagandë. Eftim Mitrevski ka dënuar ardhjen e ambasadorit bullgar duke kërkuar ndërhyrjen nga Shqipëria për të ndaluar ndikimin tek banorët e Pustecit.  

“Është krejtësisht jo normale, është perzierje në punët e brendshme të këtij shteti si vizitë e ambasadorit ashtu dhe nënpresidentes bullgare. Ajo duhej përzënë nga Shqipëria, duhej dhënë ultimatum, duhet të linte shtetin shqiptar dhe të dilte jashtë kufijve të Shqipërisë. Si e lejon shteti shqiptar që personalitete të tilla në kohën e Censit të ushtrojnë propagandë këtu, ne jemi qytetarë shqiptarë, mbushim mot 100 vite që ky shtet shqiptar na ka njohur, me institucione, në asnjë dokumente të shtetit shqiptar nuk figuron bullgar. Vizita e ambasadorit bullgar është krejtësisht e gabuar. Ky është presion. Ardhja e zv.presidentes bullgare vizita e ambasadorit edhe te disa emisarëve qe vijnë ne bashkinë tone, është presion qe iu behet qytetarëve shqiptare me identitet maqedonas. Po është e vërtete qe ëshët ngritur ne Pustec flamuri bullgar. Kjo ka ndodhur ne gusht, ne festen e pagëzimit. Bullgarët kane shpërdorë libra, kalendarë ne mes të vitit, një Zot e merr vesh. Por ne si qytetare të shtetit shqiptar, me identitet maqedonas kërkojmë mbrojtje nga shteti shqiptar. Shteti shqiptar duhet ti dalë Zot dhe të thotë qe këta janë taksapagues, qe këta i kemi njohur institucionalit si maqedonas dhe janë qytetare te këtij shteti. Ky shtet ka organizuar me se miri një Census, për të gjithë qytetaret ne Shqipëri për te ditur efektin e reformave qe zhvillohen ne territorin e Shqipërisë dhe eshtë keq të keqpërdoren komunitetet dhe bashkësitë etnike ne ketë shtet,”-tha Mitrevski.

Në Bashkinë e Pustecit, sipas Censit të zhvilluar në vitin 2011 jetojnë 3300 banorë, të cilët janë vetëdeklaruar si minoritarë maqedonas, por në vitin 2017 pati ndryshime. Komisioni i ligjeve njohu minoritetin bullgar në Shqipëri, që u bë pjesë e listës së bashku me grekët, maqedonasit, malazezët, romët, egjiptianët dhe arumunët. Por me njohjen e minoritetit u ngritën edhe pretendimet pasi sipas zyrtarëve bullgarë në vendin tonë jetojnë rreth 100,000 persona me përkatësi etinike "bullgare", të vendosur kryesisht në zonën e Gollobordës të Dibrës, në Gorë të Kukësit dhe në Prespë të Korçës. Shifër kjo që nuk e pretendon as Greqia, që aktualisht në vendin tonë ka përqindjen më të madhe të minoritetit. 

Zyrtarisht, minoriteti maqedonas ka 5.512 persona të regjistruar, ndërsa sa i përket etnisë bullgare priten rezultet e Censit të ri. 

Pusteci njihet ligjërisht si zona ku banon minoriteti maqedonas, pasi edhe mësimi në sistemin arsimin fillor zhvillohet në dy gjuhë; shqip dhe maqedonisht. Por vitet e fundit, disa banorë të zonës së Prespës së Madhe janë regjistruar si bullgarë për t'u pajisur me pasaportën e një vendi që është pjesë e Bashkimit Europian./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB