
KOLONJË- Gazetarja Klodiana Lala ka marrë një denoncim në rrjetet e saj sociale lidhur me kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai. Denoncuesi, i cili ka zgjedhur që të mos identifikohet me emër, pretendon se Isai po ushtron presion dhe kërcënime tek administrata që të japin dorëheqjen. Po ashtu, shton se kryebashkiaku u ka premtuar atyre që do të mbesin në detyrë një rrogë prej 900 eurosh.
"Pershendetje znj.Klodiana, uroj te jeni mire. Dilni shikoni cfare behet ktej nga Bashkia Kolonje, ku Kryetari ve ne rresht administraten duke iu kerkuar doreheqjet nen presion dhe kercenime nga me te ndryshmet si dhe me preteksin ata qe do ngelen do u a bej rrogen 900 euro, kjo pune ka qe te premte,ju ftoj ta verifikoni. Jane disa zyrtare qe me kane shkruar per te njejten ceshtje. Thirrje prokurorise ta hetoje kete situate!,"-shkruan denoncuesi.
Pas denoncimit të publikuar nga Lala, ZËRI ka kontaktuar për të marrë një version lidhur me ngjarjen edhe nga vetë kryebashkiaku Isai. Pasi është vendosur përballë denoncimit të bërë publik, ka ardhur edhe përgjigjia e tij, duke mohuar pretendimet e qytetarit. Sipas tij, Bashkia po bën një rikonstruktim të burimeve njerëzore dhe asgjë tjetër. Thekson se nuk ka as largime masive, përveç një largimi me vullnet të lirë, duke i zbuluar edhe emrin.
"Bashkia po bën ristrukturim strukturor, Jo të burimeve njerëzore. S'ka largime, as masive e as dorëheqje. Përveç një (vullnet i lirë) Armand Tafi. Nuk shkurtime por lëvizje paralele dhe rikonceptim drejtorish,"-tha Isai.
Megjithatë ky është vetëm pretendimi i tij./ZËRI