
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës për gazetarët tha se mosbindja civile nuk ka përfunduar. Berisha tha se edhe pse deputetët e opozitës, u kthyen në Kuvend, PD nuk ka hequr dorë nga mosbindja civile dhe do të vazhdojë me aksionin e saj.
Më tej, kreu i PD-së shtoi se deputetët do të marrin pjesë gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2025, për të paraqitur alternativat e opozitës.
“Së pari nuk ka pasur absolutisht asnjë vendim për bojkotin e parlamentit. Ka patur vetëm një vendim për komisionet meqenëse u përjashtuan 24 vetë nga parlamenti dhe kjo dëmtonte shumë mundësinë e punës në komisione. Por ne kemi shkuar në çdo seancë, me mosbindje civile dhe do të shkojmë në çdo seancë me mosbindje. Tani është buxheti. Ne kemi paraqitur para qytetarëve, pensionistëve, arsimtarëve, në tërësi kemi paraqitur alternativat tona, por druaj që pensionistët, qytetarët do të donin që këto ti mbronim në parlament, të ua përplasnim në sy në parlament, grabitqarëve, hajdutëve të parave publike dhe kjo është arsyeja se pse ne do të marrim pjesë në debatin parlamentar për buxhetin. Ata e kalojnë buxhetin edhe për 5 minuta dhe këtë duan. Ata duan që ju, të mos merrni asgjë vesh se si u vodh dhe si po vidheni. Mosbindja do të vazhdojë kudo, edhe në parlament dhe shumë shpejt do të ju njohim edhe me veprime të tjera”, tha Berisha. /ZËRI