
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka komentuar çështjen "McGonigal", e cila duket se gjithashtu po hetohet nga SPAK, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Në një dalje të tij në Shkodër, kreu i SPAK u pyet edhe nëse kryeministri Edi Rama ishte pjesë e hetimeve, por nuk preferoi që të jepte detaje nga hetimet. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe për ish-presidentin e vendit, Ilir Meta, i cili po hetohet për çështjen CEZ-DIA.
Pyetje: Rama a do thirret për t'u pyetur për çështjen McGonigal?
Altin Dumani: Nuk mund të përgjigjem për pyetje te caktuara. Nuk ka rëndësi emri, por provat dhe nuk ka rëndësi pushteti qe ka dhe në një moment do t’i duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK. Ne jemi të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media ne muajin shkurt e vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e McGonagal dhe gjithë kritiket duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar.
Meta në çfarë faze është hetimi?
Altin Dumani: Çështje nën hetim dhe nuk mund të jap të dhëna.
Ç'ka ndodhur me çështjen 'McGonigal' deri tani?
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së u dënua me 4 vite lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Në publikimin e dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare.
Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./ZËRI