
ITALI- Kryeministri Edi Rama në një intervistë për në kanalin italian 'La 7' ka vlerësuar homologen e tij italiane Giorgia Meloni, ku është shprehur se është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë.
“Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi cilës parti i përket, është kryeministrja e vendit më të afërt me të cilin Shqipëria është e lidhur përjetë. Për mua ideologjitë kanë vdekur që kur ra muri i Berlinit”,-u shpreh Rama për median italiane 'La 7'.
Lidhur me vonesat për hapjen e kampit të emigrantëve në Gjadër, kryeministri Rama tha se llogaritë për këtë çështje i bën qeveria italiane.
“Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, u them të shikojnë Italinë.” -u shpreh Rama.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi deklaroi më herët se qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës do të hapen në tetor. Duke folur mbi rrezikun e ankesave nga emigrantët e ndaluar në Shqipëri, Piantedosi theksoi se kjo është një rregullore që i paraprin asaj europiane, e cila do të hyjë në fuqi në vitin 2026.
Italia dhe Shqipëria arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit./ZËRI