
BRUKSEL- Komisioni i Venecias ka pranuar që të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me çështjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Njoftimi është bërë me dije nga vetë faqja zyrtare e Komisionit, të cilët bëjnë me dije se kërkesa për opinion është dërguar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali më 13 shtator. Pas marrjes së kërkesës, pritet që opinioni të jetë gati më 6-7 dhjetor të këtij viti. Dosja e plotë do t'i dorëzohet Kuvendit, e më pas do të kalojë për votim mes 140 deputetëve në sallë.

Në një njoftim të Opinionit të Venecias thuhet: Me shkresën e datës 13 shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të rolit të Kuvendi në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Drafti i opinionit do të dorëzohet për miratim në seancën e 141-të plenare të Komisionit (6-7 dhjetor 2024).
-
Kuvendi VENDOS! Çështja Xhaçka nuk shkon në Kushtetuese, PS abstenon
13 Shtator, 00:43
Më 13 shtator, me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit. Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca. Para votimit, në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, shprehu pakënaqësinë e tij për mosleximin e raporteve në seancë, duke pretenduar se maxhoranca po mban dy qëndrimet të ndryshme, duke krahasuar rastin e kryedemokratit Sali Berisha me atë të Xhaçkës.
Kjo ishte hera e tretë në dy vite që mandati i Xhaçkës kalon në Kuvend. Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. Në korrik, herën e fundit që u votua për mandatin e saj, Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike. Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj./ZËRI