
TIRANË- Kryeministri Edi Rama falenderoi ish-kryeparlamentaren Lindita Nikolla për të gjithë rrugëtimin e saj në kuvend, të cilin e etiketoi dhe ‘të shëmtuar“. Fajin e kaloi tek Partia Demokratike. Në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Edi Rama tha se konflikti politik e ktheu kuvendin në një vend ç’edukues duke përmendur, edhe pse pa emër, kryedemokratin Sali Berisha. Për këtë të fundit, Rama tha se është pikërisht ai që e katandisi PD ‘në çisternë të helmuar”
Edi Rama: Dua të ndalem për të përshëndetur dhe falenderuar Lindita Nikollën. Lindita shërbeu në 3 vjet jo të lehta të jetë parlamentare të vendit. Bëri më të mirën e saj që në ditën e parë të shërbimit publik. Lindita është një shembull sesi duhet të jetë individi i zgjedhur. Faleminderit për forcën e shembullit që ti je. Konflikti që na ka shoqëruar e ka kthyer Kuvendin në shëmbëlltyrën më çedukuese dhe acaruese për nervat e njerëzve të zakonshme të këtij vendi. Ne mund të kemi plot arsye por mund të gjejmë edhe shumë justifikime se ai koflikt nuk është fare i yni, por nuk jemi të pafajshëm. Burimi është tjetërkush, i njëjti që doli nga kthellat e historisë së trishtë të shqiptarit kundër shqiptarit që kur mori jetë parlamenti dhe nisi jeta pluraliste në Shqipëri. I njëjti që mori peng sa mundi dhe kudo mundi Shqipërinë dhe tanimë e ka katandisur PD në një çisternë të ndryshkur helmi që nuk i bën asnjë punë as dreqit. I njëjti që e ndot përditë ajrin e jetë politike, duke çoroditur këto që e thith. Jeta parlamentare nuk është vetëm arena e seancave kuvendore. As nuk nis dhe mbaron në dhomat e grindjeve të komisioneve të Kuvendit. Detyra e deputetit matet me kolimetrat e bëra në këmbë në lagje, rrugë dhe shtëpitë. Atje tek zgjedhësit, me komunitetin me njerëzit, me grupet e interesit. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë asgjë tjetër veç shembullit i njeriut që di të dëgjojë njerëzit. Ka dëshirën të dëgjojë dhe mësojë problemet me të cilat duhet të merret. Ka ambicje që të zgjidhë probleme të mëdha, por edhe hallë të vogla. Të rritet dhe të lartësohet në sytë e njerëzve. Pa harruar asnjëherë që t'ua qajë hallin që nuk ua zgjidh dot. Kjo duhet të vlejë për këdo që ka nderin të jetë deputet i partisë më të madhe dhe më fitimtare të shqiptarëve.
PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:
I nderuar Kongres i Partisë Socialiste,
Shokë, shoqe, miq dhe të ftuar,
Ky është një stacion me rëndësi në rrugëtimin e partisë tonë jo thjeshte sepse sot do të zgjedhim përfaqësitë e familjes sonë të madhe politike në Asamblenë Kombëtare prej së cilës në fillim të sezonit të ardhshëm politik e parlamentar do të dalin edhe kryesia dhe sekretariati i ri ekzekutiv i PS, as sepse sot nis praktikisht mbjellja e fushës së fitores që do të korrim pranverën e ardhshme me një punë të gjithanshme në gjithë Shqipërinë, me gjithë shqiptarët, për të gjithë shqiptarët, por sepse sot nis natyrshëm edhe projekti i Partisë Socialiste 2030, për të cilin një gjeneratë tjetër nga ata që janë aty në qendër, në radhët e udhëheqjes së partisë duhet marrë kreshendo, hap pas hapi më shumë pjesë, më shumë peshë, më shumë përgjegjësi mbi shpatulla.
Është kjo koha duhur për të nisur një tjetër investim të ri për kapitalin njerëzor të Partisë Socialiste dhe për të punuar me një ambicie të re, të madhe paralelisht jo vetëm për Shqipërinë 2030, por edhe për PS 2030. Por dua të ndalem një moment për të përshëndetur dhe falënderuar edhe në emrin tuaj dhe të çdo anëtari dhe anëtareje të familjes sonë progresiste Lindita Nikollën.
Lindita shërbeu si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në 3 vjet jo të lehta të jetës parlamentare të vendit. Bëri më të mirën e saj si gjithmonë, qysh ditën e parë të shërbimit publik si mësuese, drejtore e gjimnazit Sinan Tafaj, kryetare e njësisë bashkiake nr. 3, ministre e Arsimit dhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Me modestinë e një mësueseje të përkushtuar dhe seriozitetin e një njeriu që në çdo kohë e në çdo pozicion e ka vënë un-in e vet në shërbim të komunitetit tonë politik, Lindita është një shembull kuptimplotë i si duhet të jetë në çdo rrethanë dhe vështirësi individi i zgjedhur nga ky komunitet në çdo hap dhe në çdo nivel përfaqësimi. Faleminderit Lindita për forcën e shembullit që ti je!
Konflikti brutal politik që na ka shoqëruar fatkeqësisht përgjatë gjithë qeverisjes sonë e ka kthyer Parlamentin shqiptar në shëmbëlltyrën më çedukuese dhe më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe për këdo që politikën e sheh si një mundësi. Si një mundësi për të dëgjuar, për të kuptuar se çfarë ndodh këtu, se çfarë mendojnë ata që janë të përfshirë në arenën e saj, si mundësi për të bërë punë të mira bashkë me të tjerët, jo për të hedhur helm fjalësh të liga për të tjerët. Ne mund të kemi plot arsye dhe mund të gjejmë më shumë justifikime sesa arsye për të thënë se ai konflikt skandaloz në atë mexhlis që është prekja e përjavshme e nivelit më të ulët të jetës publike, të sjelljes dhe të komunikimit publik nuk është faji ynë, por ne nuk jemi sidoqoftë të pafajshëm, përkundrazi dhe faji ynë nuk është se jemi burimi i atij konflikti, dihet botërisht që burimi është tjetërkush, i njëjti që doli nga thellat e historisë së trishtë të shqiptarit kundër shqiptarit qysh se mori jetë Parlamenti dhe nisi jeta pluraliste në Shqipëri. I njëjti që e mori peng sa mundi dhe kurdo mundi Shqipërinë përmes duarsh të mbrapshta shqiptare sapo ajo u vetëshpall shtet në vitin 1912 dhe që tanimë e kanë katandisur Partinë Demokratike në një cisternë të ndryshkur helmi e cila nuk i bën më asnjë punë as dreqit vet. I njëjti që e ndot përditë ajrin e jetës politike dhe publike duke çoroditur këdo që e thith akoma atë ajër me pasionin e ndasisë së vjetër, ndërkohë që shkaqet e asaj ndasie kanë vdekur me kohë e me vakt, i njëjti që helmon përditë turmën e tij të tkurrur si një sy i verbuar nga drita. Faji është se ne jo thjeshtë nuk e kemi bërë dot dallimin me bartësit e konfliktit në atë parlament të shëmtuar njësoj si fjalët e ulëta që derdhen aty pa hesap, por as nuk e kemi bërë të gjithë përpjekjen e duhur për ta bërë të qartë për të gjithë këtë dallim të domosdoshëm.
Jeta parlamentare nuk është vetëm arena e seancave kuvendore, as nuk nis dhe mbaron në mbledhjet, në dhomat e grindjeve të komisioneve të Kuvendit. Karrigia dhe tryeza e Kuvendit janë për tu ulur për vendimmarrjen, por detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë, në lagjet, rrugët, shtëpitë dhe vendet ku jeton dhe punon komuniteti që i ka dhënë mandatin e përfaqësimit, atje tek zgjedhësit me komunitetin, me njerëzit më në nevojë, me grupet e interesit, tek anëtarësia, ku dora, fjala, urtësia e deputetit janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e jetës së çdo qelize të partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse shembulli i një njeriu që di të dëgjojë njerëzit, që ka dëshirën të mësojë dhe të zhvillojë dijet e veta mbi problemet me të cilat i duhet të merret, që ka ambicien të zgjidhë edhe probleme të mëdha edhe halle të vogla. Dhe të rritet, të lartësohet në sytë e njerëzve përmes punës që bën për vendin dhe për ta, pa harruar asnjëherë tua qaj hallin që s’mund tua u zgjidhë dot./ZËRI