TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme, 30 korrik 2026, një sërë vendimesh dhe projektligjesh. Bëhet fjalë për vendime që prekin drejtpërdrejt qytetarët, nga shëndetësia te arsimi, turizmi dhe mbrojtja, etj.
Krijohet Instituti Kombëtar Onkologjik-Check-Up falas
Krijimi i Institutit Kombëtar Onkologjik si strukturë shëndetësore universitare dhe kërkimore-shkencore ishe një nga vendimet kryesore që u njoftoi nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas përfundimit të mbledhjes. Ky institucion do të ketë në fokus trajtimin e sëmundjeve onkologjike, zhvillimin e kërkimit shkencor, edukimin e profesionistëve të shëndetit dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara për pacientët.
Gjithashtu, ministrja njoftoi edhe ndryshime në programin kombëtar të Check-Up. Me vendimin e ri hiqet kufiri maksimal i moshës për përfitimin e kontrollit shëndetësor falas, duke u mundësuar edhe qytetarëve mbi 70-vjeç të përfitojnë nga ky shërbim. Një tjetër ndryshim është kalimi i shërbimeve të Check-Up dhe dializës në administrimin e shtetit.
Ndalohen punimet në zonat turistike deri më 15 shtator
Në kuadër të sezonit turistik 2026, u vendos pezullimi i punimeve të ndërtimit dhe aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike. Ky kufizim do të jetë në fuqi nga hyrja në fuqi e vendimit deri më 15 shtator 2026.
Punimet e ndërtimit në zonat turistike do të pezullohen gjatë sezonit duke përfshirë nga pikat e nxjerrjes dhe përpunimit të inerteve, te hedhja e themeleve e gërmimit si dhe çdo punim që shkakton zhurma e ndotje. Përjashtim bëjnë vetëm ndërhyrjet e vogla dhe ngritja apo sistemimi i kantiereve që duhet të realizohen brenda fashës orare 08:00-17:00.
Shpërblim për ushtarakët e angazhuar në shuarjen e zjarreve
Një tjetër vendim lidhet me shpërblimin e personelit të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2026, si vlerësim për punën e kryer në përballimin e situatave emergjente.
Forcat e Armatosura do të shpërblehen me një pagë mujore si vlerësim për punën e tyre për shuarjen e zjarreve të këtij viti. Shpërblimi do të përllogaritet mbi bazën e pagës bruto të punonjësit. Për personelin e Forcave të Armatosura janë planifikuar gjithsej 154,281,120 lekë që do të ndahen sipas buxheteve përkatëse.
Shqipëria dërgon ushtarakë në misionin në Gaza
Në mbledhje u miratua gjithashtu propozimi për një projektligj që lidhet me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza. Në një deklaratë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se përfaqësia shqiptare do të nisë fillimisht me katër oficerë shtabi.
Projektligji parashikon që numri maksimal i personelit të Forcave të Armatosura që mund të marrë pjesë në mision të jetë 40 ushtarakë. Sipas projektligjit, ushtarakët pjesëmarrës, përveç pagës mujore, të përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, në masën që do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Miratohet programi "Pas Shkolle"
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me shkollat. Qeveria ka miratuar organizimin dhe zhvillimit të programit “PAS SHKOLLE”, një veprimtari, që do të zhvillohet jashtë orarit mësimor të detyruar me të gjithë nxënësit e regjistruar në 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në vend.
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar kategoritë dhe kriteret për përzgjedhjen e trajnuesve, mënyrën e aplikimit, dokumentacionin që paraqesin si edhe mënyrën e përzgjedhjes. Pagesa për çdo orë për trajnuesit është 1 000 lekë. Kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “Pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të kryhet në rrugë elektronike./ZËRI