
TIRANË- 2 vite më parë, më 21 qershor, Yuri Kim dha lamtumirën nga godina e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, duke hequr petkun e ambasadores. Por edhe pse është larguar nga detyra që kreu në vendin tonë, sërish emri i saj përmendet më shumë se çdo ambasador tjetër ndonjëherë. Pasi u largua nga Shqipëria, pritej që ajo të merrte një post të ngjashëm në Korenë e Jugut, vendin ku ajo ka lindur, por duket se ndryshe nga sa pritej, karriera e saj po venitet.
Nga 1 marsi deri në vazhdim, Yuri Kim është spostuar në postin si këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi të në Departamentin e Shtetit.
Po ashtu, humbi edhe detyrën si zëvendës-ndihmëssekretarja kryesore e shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Pak javë më parë, "Politico" tha se Kim do të udhëhiqte punën për të vendosur se cilat fonde janë përdorur në mënyrën e duhur dhe duhet të vazhdojnë që të 'dërgohen' në Ukrainë. Edhe pse nga media e huaj, Kim iu kërkua një koment për detyrën e re, ajo zgjodhi që të heshtte.
Edhe për postin e ri, ka zgjedhur të njëjtën rrugë: No comment!
Por kjo nuk do të thotë që politika në Shqipëri e ka harruar. Ndoshta armik është fjalë e madhe, por kundërshtari i saj më i fuqishëm, kryedemokrati Sali Berisha vazhdon dhe dërgon sinjale kundër saj. Në çdo deklaratë publike që përmendet, Berisha nuk ngurron që të ftojë Kongresin Amerikan, FBI-në dhe DASH që ta hetojnë ish-diplomaten për korrupsion. Madje pretendon se ka një dosje të përpiluar për të, gati për t'ja dorëzuar autoriteteve amerikane.
"Nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim nga deklaratat e mia, për të cilat unë kam ftuar dhe ftoj përsëri, FBI-në, inspektorin e Përgjithshëm në Departamentin e Shtetit, Kongresin të hetojë mbi akuzat e bëra për korrupsion. Nuk kam ndryshuar asgjë për atë. Thashë edhe herën e parë, para jush, thashë; mediat thonë. Nuk kisha burime dhe për këtë nuk kam burim të saktë dhe e besoj se mediat njëherë thonë këtë, e njëherë atë. Ndërsa qëndrimi im ndaj saj është ky që e shpreha sot, e kam shprehur çdo ditë, e kam shprehur me qindra herë. Nuk ndryshohet se nuk e kam të pabazuar atë,"- tha Berisha.
Por deri më tani, nuk ka asnjë kërkesë të amerikanëve për t'u njohur me dosjen për Kim. Të paktën kjo dihet zyrtarisht!
Ndoshta një reagim ishte heqja e emrit të saj nga lista e zyrtarëve të DASH (Departamentit Amerikan të Shtetit), por sërish të nesërmen e ktheu me një post të ri.
Ndërsa opozita e cilëson spostimin e Kim si një shenjë të mirë, mediat afër qeverisë, e cilësojnë arritje. Madje nuk ngurrojnë që ta lidhin me Berishën. Për ta, pas çdo akuze të Partisë Demokratike dhe Yuri Kim, DASH reagon duke "shpërblyer" Yuri Kim me nga një post të ri./ZËRI