
TIRANË-SHBA- Pa mbushur javën në karrigen e të parit të shtetit, Donald Trump ka trazuar ujërat kudo në botë. Por një urdhër ekzekutim i 20 janarit ka shkaktuar jo pak reagime edhe në Shqipëri. Trump dhe amnistrata e tij kanë vendosur që të bëjnë rivlerësimin e ndihmës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin për vende të tjera. Në ligj thuhet qartë që të gjitha ndihmat që jepen për vendet e tjera do të pezullohen për 90 ditë për t'u verifikuar. Pas verifikimit, ato që nuk janë në linjë me interesat amerikane do të ndalohen!
PËRKTHIMI I LIGJIT:
Seksioni 1. Qëllimi. Industria e ndihmës dhe burokracia e Shteteve të Bashkuara nuk janë në linjë me interesat amerikane dhe në shumë raste janë në kundërshtim me vlerat amerikane. Ato shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në vendet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta ndaj marrëdhënieve harmonike dhe të qëndrueshme brenda dhe ndërmjet vendeve.
Sek. 2. Politika. Është politika e Shteteve të Bashkuara që asnjë ndihmë të mos jepet në një mënyrë që nuk përputhet plotësisht me politikën e jashtme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Sek. 3. (a) Do ketë një pauzë 90-ditore. Të gjithë drejtuesit e departamenteve dhe agjencive me përgjegjësi për programet e ndihmës së huaj për zhvillim të Shteteve të Bashkuara do të ndalojnë menjëherë disbursimet e fondeve të ndihmës për vendet e huaja dhe organizatat joqeveritare zbatuese, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët në pritje të rishikimeve të këtyre programeve për efikasitet dhe konsistencë programore.
(c) Përcaktimet. Drejtuesit e departamenteve dhe agjencive përgjegjëse, në konsultim me drejtorin e OMB-së, do të marrin vendime brenda 90 ditëve nga ky urdhër nëse ndihmat do të vazhdojnë, modifikohet ose ndërpritet çdo program i ndihmës së huaj bazuar në rekomandimet e rishikimit, me pëlqimin e Sekretarit të Shtetit.
Pra në këtë rast, në asnjë moment në urdhërin e Trump nuk nominohet me emër as Shqipëria dhe as ndonjë institucion. Por në Tiranë kanë nisur aludimet. Edith Harxhi, e angazhuar pranë Partisë Demokratike tha ky urdhër do të pezullonte fondet për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në një intervistë për Mirela Milorin, Harxhi u shpreh se projektuesi i "referomës në drejtësi" ishte Georgo Sorros, ndaj do të ketë një rishqyrtim. Po sipas demokrates, tashmë SHBA do të tërheqë pas të gjithë asistencën teknike që i ka dhënë SPAK përmes të gjitha projekteve të USAID-it.
“Unë nuk mendoj se projektuesi i reformës në drejtësi është Donald Lu, projektuesi i reformës në drejtësi është George Sorros sepse ajo ka lindur në zyrat e Open Society Foundation në vitin 2014, kur është hedhur për herë të parë ideja e një reforme në drejtësi. Zbatuesit janë absolutisht Donald Lu dhe Yuri Kim. Ata janë zbatues korrekt të projektit të përgatitur nga fondacioni Sorros në Shqipëri. Por çfarë do të ndodh me reformën në drejtësi? Kjo është një drejtësi e kapur. Ka disa muaj që flitet për një urdhër arresti për kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe nuk zbatohet urdhri. Një nga urdhrat ekzekutivë të firmosur nga presidenti Trump është pezullimi i menjëhershëm i të gjitha fondeve dhe projekteve të SHBA-ve në vende të tjera të botës. Këtu përfshihet asistenca teknike që është dhënë për SPAK, për reformën në drejtësi në Shqipëri, për BKH, të gjitha projektetet e USAID-it, të gjitha projektetet e Ambasadës Amerikane. Të gjitha këto projekte janë pezull, do jenë pezull për 90 ditë derisa të vetohen nga administrata e re,”-tha Haxhi.
Por nuk është vetëm Harxhi ka një skenar të tillë në kokë. Edhe Baton Haxhiu 'bie dakord'! Në një studio tjetër televizive, në emisionin “Të Paekspozuarit”, analisti Baton Haxhiu u shpreh se tani mbarëvajtja e SPAK do të jetë në dorë të kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha.
“SPAK varet nga dy njerëz, një është Edi Rama dhe dy është Sali Berisha, krejt të tjerat janë përralla. Nëse dikur ka patur një presion për të krijuar frikën në Shqipëri, tani është SPAK nevojë që drejtësinë ta kthejmë në binarë. Nëse SHBA konsideron se Shqipëria ka arritur në fazë që hajnia dhe korrupsioni është goditur, do të kemi së shpejti nga dy liderët një ligj penal të ri, ku do të futen nene që SPAK e humb fuqinë edhe me ekzistencën e saj. Administrata e kaluar ka bërë betejë për nene të caktuara, si shpërdorimi i detyrës, por kjo do të ndryshojë. Nëse hyn në ligjin e ri penal, atëherë baza e drejtësisë merr tjetër dimension. Kjo drejtësi speciale e SPAK do të jetë e panevojshme,”- tha ndër të tjera Haxhiu.
Megjithatë këto deklarata nuk konfirmojnë asgjë, përkundrazi! Deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga asnjë institucion i administratës së re për ndalimin e fondeve nga SHBA për SPAK. Por duket se faktori politik në Shqipëri e sheh ndryshe. Pas 90 ditësh do të ketë një vendim. A do të kemi fundin e epokës së SPAK, apo një fillim edhe më të fuqishëm nën drejtimin e Trump dhe të besuarve të tij?/ZËRI