
TIRANË- Në mesin e zhurmës së krijuar pas marrëveshjes për emigrantët mes dy vendeve tonë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të vizitojë sot Shqipërinë, ku do të pritet nga homologu i saj Edi Rama. Vizita e Melonit vjen pas disa emisioneve në mediat italiane, ku vetë ajo akuzohet për shpërdorimin e fondeve, në ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri, dhe vetëm disa ditë para zgjedhjeve europiane të së dielës.
Ndryshe nga tradita që krerët e shteteve priten në kryeqytet nga krerët e shtetit shqiptar, kësaj radhe kryeministrja italiane do të shkojë në Lezhë, e konkretisht në Gjadër, aty ku është ngritur kampi për emigrantët sipas marrëveshjes së nënshkruar mes saj dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Rama do të shoqërojë Melonin gjatë gjithë vizitës së saj në Gjadër. Dy kryeministrat do të shikojnë nga afër kampin e refugjatëve që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit në orën 11:15.
Më pas, në orën 12:00 Rama dhe Meloni do të zhvillojnë një konferencë për shtyp, ndërsa nuk parashikohen të tjera takime të kryeministres italiane në Shqipëri. Punimet në Gjadër dhe në Shëngjin janë ende në proces e sipër, dhe kampi pritet që të jetë gati për të pritur emigrantët e parë jo më shpejt sesa muaji Nëntor.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë që do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e refugjatëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit. Qendra pritëse do të ketë një kapacitet 3 mijë vende, ndërsa në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do t’i largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar./ZËRI