
TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi ka kërkuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pamjet filmike të numërimit të votës së diasporës për qarkun e Dibrës, atje ku edhe ai garoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç duket edhe në dokumentin e mëposhtëm, Gjunkshi i është drejtuar me kërkesë zyrtare kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.
Kjo është kërkesa e dytë që ai bën për të rinumëruar votat e tij, pasi ka dyshime për devijime. Vetëm pak ditë më parë, në KAS u hapën pjesërisht kutitë e qarkut të Dibrës. Nga rinumërimi ai rikuperoi 49 vota që i kishin kaluar kandidatit tjetër demokrat, Përparim Spahiut. Kështu që ka kërkuar edhe hapjen e kutive të diasporës, për të kontrolluar nëse votat e tij kanë "rrjedhur" tek kandidatët e tjerë.
Mesa duket, pasi të kontrollojë pamjet, nëse gjen parregullësi, mund të kërkojë edhe një rinumërim duke i bërë një kërkesë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve./ZËRI