
TIRANË- Pas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe Gjykata e Vlorës i ka dhënë Vangjel Tavos mandatin si kryetar i Bashkisë së Himarës. Gjyqtari Artan Çirraga ditën e djeshme (18 shtator) miratoi vendimin duke i hapur rrugën Tavos të betohet në Këshillin Bashkiak për të marrë detyrën si kryebashkiak.
Edhe pse rezultatet u zbuluan një ditë pas zgjedhjeve, betimi i Tavos është vonuar për shkak se Partia Demokratike ankimoi në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale. PD pretendoi se ka pasur një sërë shkeljesh në këtë proces por KAS e rrëzoi kërkesën duke lënë në fuqi rezultatin. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk u ndal dhe dërgoi përsëri një padi në KAS, ku kërkoi shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Himarë. Por edhe në shkallën e fundit të 'gjykimit' në KQZ, u rrëzua padia dhe Kolegji Zgjedhor i shpalli zgjedhjet në Himarë të rregullta.
Gara për kreun e Bashkisë Himarë u zhvillua mes kandidatit të Partisë Socialiste (PS), Vangjel Tavo, dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Tavo u shpall fitues me 58.62% të votave, duke siguruar një avantazh prej mbi 17% nga rivali i tij Gjikuria. Opozita ka kontestuar këtë rezultat, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të manipuluar.
Zgjedhjet e 4 gushtit erdhën pas arrestimit dhe dënimit të ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, i cili u dënua me dy vjet heqje lirie për blerje votash./ ZËRI