Politikë

Gratë festojnë 8 Marsin/ Politika mesazhe urimi

Sot gratë në mbarë botën festojnë 8 Marsin, ditën ndërkombëtare të tyre, që në vende të ndryshme të botës festohet…ose protestohet.

E.K
Gratë festojnë 8 Marsin/ Politika mesazhe urimi
Foto ilustruese

TIRANË- Krerët më të lartë të shtetit dhe politikanët në vend “janë bërë bashkë” këtë të premte dhe kanë shpërndarë mesazhe urime me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale duke dhuruar trëndafila rozë për disa zonja, ndërsa sipër videos shkruan se “nuk ka lule që ua merr nurin, grave të sakrificës, dhembshurisë e dashurisë, ju uroj një ditë të mbarë”.

POSTIMI I RAMËS:

MIRËMËNGJES dhe me ditën e 8 Marsit që të kujton se nuk ka lule që ua merr nurin, grave të sakrificës, dhembshurisë e dashurisë, ju uroj një ditë të mbarë.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka uruar të gjitha gratë me rastin e 8 Marsit, ndërsa shkruan se “tema e përzgjedhur për të kremtuar këtë ditë domethënëse është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin.”

POSTIMI I NIKOLLËS:

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, uroj nga zemra të gjitha nënat, motrat, bashkëshortet dhe vajzat shqiptare. Këtë vit, tema e përzgjedhur për të kremtuar këtë ditë domethënëse është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin.” Asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta nxisë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.

Këtë prag 8 Marsi, bashkë me gratë kryeparlamentare nga të pesë kontinentet, u mblodhëm në Paris në Samitin Botëror, themeluam Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratuam Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave, në të cilën u bëmë thirrje parlamenteve të të gjitha vendeve të vendosin të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në krye të agjendave parlamentare.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka shpërndarë një video në rrjetet sociale me vajza që japin mesazhe frymëzimi në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

POSTIMI I VELIAJT:

8 Marsi është ditë për të kujtuar dhe festuar fuqinë, guximin dhe dashurinë e grave në jetën tonë. Gëzuar për ju heroina!

Ndërkohë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka postuar një foto me nënën e tij. Meta shkruan se u uron 8 Marsin të gjitha nënave shqiptare.

POSTIMI I METËS:

Partia Demokratike ka shpërndarë një mesazh urimi bashkëngjitur dhe me një video ku uron të gjitha gratë. Sipas PD, sot është një ditë proteste, për 19 gratë e vrara gjatë harkut kohor të një viti.

REAGIMI I PD:

8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e gruas! Një ditë feste por dhe proteste. Partia Demokratike është sot në krah të grave dhe vajzave, në çdo cep të Shqipërisë dhe në Diasporë, ku i ka detyruar qeverisja e Edi Ramës. Sot është ditë feste dhe Gëzuar!

Por është edhe ditë proteste, për 19 gratë e vrara gjatë harkut kohor të një viti. Është ditë proteste, për nënat të cilave ua ka marrë emigrimi fëmijët, për vajzat që e kanë të pamundur arsimin cilësor. Për gjyshet me pensione të paindeksuara dhe barnat me çmime të papërballueshme. Për studentet që diplomohen dhe duhet ta dorëzojnë fatin e punësimit të tyre në duar patronazhistesh.


Sot gratë në mbarë botën festojnë 8 Marsin, ditën ndërkombëtare të tyre, që në vende të ndryshme të botës festohet…ose protestohet. Dita Ndërkombëtare e Gruas është një festë globale dhe thirrje për veprim e shënuar nga demonstrata, kryesisht të grave, në mbarë botën, duke filluar nga protestat luftarake deri te vrapimet bamirëse. Disa festojnë arritjet ekonomike, sociale dhe politike të grave, ndërsa të tjerë u kërkojnë qeverive të garantojnë paga të barabarta, akses në kujdesin shëndetësor, drejtësi për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe arsimim për vajzat. Është një festë zyrtare në më shumë se 20 vende, duke përfshirë Afganistanin, Burkina Fason, Ukrainën, Rusinë dhe Kubën, e vetmja në Amerikë./ZËRI

Poll

MOS HUMB