Politikë

'GËRDECI'/ 15 vite akuza, si është historia dhe dy lidhjet e Shkëlzen Berishës në dosjen e Mediut

E gjithë historia e përfshirjes së Shkëlzen Berishës nis me dëshminë e ish-sekretares së Ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli...

f.g
'GËRDECI'/ 15 vite akuza, si është historia dhe dy
Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha

TIRANË- Për herë të parë, 15 vite pas shpërthimit në Gërdec, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha është thirrur nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të dëshmuar në çështjen që SPAK po ndjek në lidhje me ish-ministrin e Mbrojtjes së asokohe, Fatmir Mediu. 

Berisha është pjesë e listës me 71 emra, përfshirë edhe ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, për tu marrë në pyetje nga GJKKO, ndërsa paralelisht GJKKO rrëzoi kërkesën e Mediut që në proces të dëshmojnë edhe ish-zyrtarë të Pentagonit, apo ish-ministra në Itali dhe Gjermani. Lista është konkretizuar dhe spikat emri i Shkëlzen Berishës. Ai është akuzuar për vite me radhë nga Partia Socialiste, për përfshirje në këtë çështje, por asnjëherë deri më sot ai nuk u mor në pyetje. 

Por cili është roli i Berishës në këtë çështje? E gjithë historia e përfshirjes së Shkëlzen Berishës nis me dëshminë e ish-sekretares së Ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli. Agolli në dëshminë e saj dhënë vite më parë në Prokurori ka thënë se në një shkresë të vitit 2007, ajo ka dërguar një faks nga numri i Ministrisë së Mbrojtjes, me shënimin "Për Shkëlzen Berishën...". Punonjësja rrëfente sesi shkresa ishte dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa faksi i Bumçit për Berishën ishte një faks "privat". 

'GËRDECI'/ 15 vite akuza, si është historia dhe dy
Deshmia e Anjola Agollit

Asokohe djali i ish-kryeministrit nuk kishte asnjë post publik dhe është e dyshimtë sesi një shkresë zyrtare i drejtohet Shkëlzen Berishës kur ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror.

Por çfarë thotë vetë Berisha për faksin e përmendur nga Anjola Agolli? Më 26 janar 2023, fill pas daljes nga SPAK, Berisha tha se nuk ka asnjë lidhje me çështjen dhe se është Prokuroria që ka detyrim të sqarojë publikun se kujt i përket firma. 

S’kam asnjë lidhje me të. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim.  Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime”, tha Shkëlzen Berisha, në një linjë edhe me Aldo Bumçin. 

Në dhjetor 2022, Bumçi tha se shkresa është e falsifikuar duke akuzuar opozitën.

"Nëse unë kisha nevojë që nuk kishte as takim e as kërkesë, nga Shkëlzen Berisha, ju mendoni se do e bëja me fax në ministrinë e Mbrojtjes për Shkëlzen Berishës? Ministria i kishte shkresat dhe e dyta që unë nuk kam nevojë që të komunikojë me zotin Berisha për t’i thënë që nuk kisha vërejtje, shënimi në cep të letrën. Kërkova që ky dokument të shpallej i pavlefshëm. Opozita aso kohe, ishte një çështje që të lidhte Berishën me këtë çështje, dhe u falsifikua kjo shkresë."-tha Bumçi. 

Por çfarë përmban dokumenti që iu dërgua me faks privatisht Shkëlzen Berishës? 

Ky dokument është një shkresë këmbim dhënie mendimi nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes, në lidhje me projekt vendimin për ngritjen e Fabrikës së Demontimit të armëve në Gërdec. 

Punonjësja e kohës, dëshmoi para Hamza Plaka dhe Arben Frashërit se kur shkresa vajti në Ministrinë e Mbrojtjes, mbante nënshkrimin në fjalë. Ndërkohë, që çështja e falsifikimit është jashtë fokusit të punës së Prokurorisë së Posaçme, rrethi i të akuzuarve aktualisht përfshin vetëm ish-ministrin Fatmir Mediun, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe "shpërdorim detyre” në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit. 

Një tjetër pikë interesante në këtë çështje ku kërkohet sqarimi i pozicionit të Berishës në lidhje me Gërdecin është telefonata Mediu-Berisha më 15 mars 2008. 

Por çfarë thotë Mediu për lidhjen me Shkëlzen Berishën dhe telefonatat me të ditën e shpërthimit në Gërdec?

"Sipas tabulateve, ka një telefonatë timen me djalin e Kryeministrit në atë ditë. Por kjo është absurde... Unë duhet t'i përgjigjesha interesimit."-tha Mediu në Top Channel në vitin 2021, kohë përpara se SPAK të ngrinte akuzë zyrtare për të. 

3 dëshmitë që përfshijnë Shkëlzen Berishën

Dëshmia e parë është e 17 qershorit 2009, 14 muaj pas shpërthimit, kur Luan Hoxha, shefi i shtabit të Ushtrisë takoi ambasadorin e kohës, John Withers. Takimi u pasua me një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shteritt, ku Hoxha ankohej se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dërgonte municion të kalibrit të lartë dhe pa vonesa. 

Në kabllogram, ambasadori raportonte dëshminë e Hoxhës dhe thoshte se "ndryshe nga Mediu Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”. I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”.

Në shtator të 2011, Hoxha konfirmoi kabllogramin por jo raportimin për Shkëlzen Berishën. Ai sot ndodhet në SHBA, i larguar nga Shqipëria bashkë me familjen. 

Dëshmia e dytë është e Kosta Trebickës, tashmë i vdekur. Ai akuzoi se Berisha kishte ndërhyrë te Efraim Diveroli (personazhi kryesor i trafikut të armëve), për të larguar Trebickën nga loja. Por më pas, edhe Trebicka u tërhoq nga deklaratat për Berishën. Deklaratat janë ripërdorur nga vetë Shkëlzeni që ka thënë se 

"I bindur se kjo ishte thjesht një trillim, ose në rastin më të mirë një keqkuptim, i kërkova z.Trebicka ballafaqim me shtetasin amerikan të cilit ai i referohej. Z. Trebicka më tha se ishte i bindur që bëhej fjalë për një spekulim dhe u largua pa organizuar kurrë një ballafaqim të tillë. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë kam takuar z. Trebicka. E gjithë kjo bisedë është bërë në prani të personit, i cili me kishte kërkuar një takim për z.Trebicka”.

Dëshmia e tretë është e vetë Diverolit, ku në disa përgjime mes tij dhe Trebickës para se të ndodhte shpërthimi, të dy flisnin se në Gërdec është i përfshirë vetë djali i kryeministrit. 

Efraim Diveroli shprehet se “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”.

Njësoj edhe si dy të tjerët, edhe vetë Diveroli është tërhequr nga deklarimet e tij, dhe në vitin 2018, ai pranoi përpara një gjykate në Florida se kishte gënjyer për ti bërë presion Trebickës. 

Berisha: Mund ta thirrin kur të duan, zero lidhje do të gjejnë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pyetur dje nga gazetarët tha se i biri nuk do të bëhet pengesë për asnjë lloj hetimi. Por theksoi, se nuk do të ketë asnjë gjetje nga hetimi. 

"Nuk mund të ketë kurrë asnjë hezitim dhe asnjë pengesë për çfarëdolloj hetimi. Edhe 100 vite po të hetojnë, do gjejnë zero lidhje aty. Por për ta thirrur, kur të duan!”-tha Berisha, i cili ndër vite ka përjashtuar një implikim të të birit në Gërdec./Zeri.ai

Poll

MOS HUMB