Politikë

Hasani: Plani me 10 pika i Zelenskyy, mundësia reale për paqen! Po punojmë për hapjen e ambasadës në Kiev

Po ashtu ministri tha se Shqipëria mbështet planin me 10 pika të presidentit Zelenskyy, si mundësia më reale për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

a.l

 

Hasani: Plani me 10 pika i Zelenskyy, mundësia reale për paqen! Po
Igli Hasani

TIRANË- Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mirëpritur sot në kryeqytet homoloogun ukrainas, Dmitry Kuleba në kuadër të samitit që do të mbahet në orën 11:00. Ministrat kanë mbajtur një konferencë të shkurtër për mediat ku kanë folur për rëndësinë e mbështejes reciproke të dy vendeve. Hasani shprehu qëndrimin e vendit tonë kundër luftës në Ukrainë, duke thënë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera. Po ashtu ministri tha se Shqipëria mbështet planin me 10 pika të presidentit Zelenskyy, si mundësia më reale për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

“Nder i veçantë të kemi sot mes nesh në Tiranë pranishëm Ministrin Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës, në një moment kur vendi i tij është nën një sulm të paprecedentë dhe të pajustifikuar që prej dy vitesh nga Federata Ruse. Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe do të vijojë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë. Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelenski, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që Ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës.

Gjatë fjalës, Hasani ndër të tjera theksoi se ka nisur puna për hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev.

"Jemi në koordinim të plotë me të gjitha vendet tona partnere dhe aleate për përballimin e situatës në mbështetje të plotë për Ukrainën. Për më tepër, Shqipëria e ka vendosur si përparësi të punës së saj trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus, në të gjitha forumet ndërkombëtare, siç kemi bërë gjatë periudhës dy-vjeçare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç po veprojmë në kuadër të anëtarësisë tonë në KDNJ, apo edhe organizmat rajonale, ku këtë vit kemi edhe kryesimin e nismave të BSEC, CEI, Karta e Adriatikut. Pas përfundimit të detajeve ligjore e financiare, jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në Pak muajt e ardhshëm", tha ai. 

Ministri gjithashtu bëri me dije se vendi ynë ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë Ukrainën në aspektin financiar, rindërtimin e saj, bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë për shkëmbime tregtare. 

"Kemi zhvilluar bisedë të sinqertë e konstruktive për marrëdhëniet e mira e pozitive që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si edhe kemi folur për rrugët e mënyrat e çuarjes së tyre përpara, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Më lejoni të nënvizoj disa aspekte në këtë drejtim: Kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë; Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhëniet duhet të ngrihen në nivelin e atyre marrëdhëniet të shkëlqyera politike që ne kemi. Ekzistojnë mundësitë që shkëmbimet tregtare, edhe pse në të tilla kushte të jashtëzakonshme, të marrin një dimension të ri në rritje", tha ai.  

Do të mbahet sot në Tiranë Samiti Ukrainë-Europa Juglindore që nis në ora 11:00. Në kuadër të këtij aktiviteti, në Tiranë janë marrë një sërë masash sigurie, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka zbritur në Rinas presidenti iu Ukrainës. Në këtë takim do të jenë të pranishëm një sërë kryetarësh shtetesh, ndërsa Mitsotakis i Greqisë dhe Erdogan do t’i bashkohen samitit online./ZËRI

Poll

MOS HUMB