Politikë

Humbja në Kukës, Berisha “kyç” gojën, Meta e relativizon, Basha “në sulm”

Dy ditë nga shpallja e fituesit, opozita ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për këto zgjedhje.

Leonard Quku
Humbja në Kukës, Berisha “kyç” gojën, Meta e
Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

KUKËS- Kanë kaluar 36 orë që nga momenti kur u numërua kutia e fundit në Kukës. Kandidati socialist, Albert Halilaj fitoi me diferencë të thellë prej 5600 vota, ndaj rivalit të opozitës, Emri Vata. Më konkretisht, Halilaj mori 13 025 vota, kudrejt 7 431 të Vatës. Dy ditë nga shpallja e fituesit, opozita ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për këto zgjedhje. Çuditërisht, asnjë prej protagonistëve të Rithemelimit, sikurse as drejtuesi i tyre, ish-kryeministri Sali Berisha, nuk e kanë komentuar humbjen. Daljen e tij të fundit përpara mediave, lideri historik i demokratëve e shfrytëzoi për të komentuar situatën në veri të Kosovës. Edhe pse në të njëjtën ditë u konfirmua humbja e bashkisë së Kukësit nga demokratët për herë të dytë radhazi në 5 muaj, Sali Berisha iu përvodh mediave. Gazetarët kishin disa pyetje në përfundim të konferencës, por Berisha u largua menjëherë nga podiumi duke ngritur dy gishtat lart.

Humbja në Kukës, Berisha “kyç” gojën, Meta e

I vetmi reagim publik ishte ai i kandidatit Emri Vata i cili përmes një statusi në rrjetet sociale, pak çaste pasi kishte përfunduar numërimi, u shpreh se gara ishte e pabarabartë dhe e ndikuar nga patronazhistët dhe super-ministrat e qeverisë. Ai hodhi akuza për blerje të votave dhe premtime nga kandidati i mazhorancës, sipas tij, të ekzagjeruara.

“Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë”, shkruan ai. Por me gjithë akuzat politike, kandidati i djathtë në Kukës kërkon që kjo votë refuzuese në një masë të konsiderueshme, të analizohet me kujdes.

“Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes”, thekson Emri Vata.

Pra, qëndrimet e opozitës për Kukësin nisin dhe mbyllen me Emri Vatën. Flamur Noka, Isuf Çelaj dhe Flamur Hoxha të cilët udhëhoqën fushatën e Vatës nuk dihet ende se çfarë mendojnë për humbjen e zgjedhjeve. Rivali i tyre, Pandeli Majko tashmë e ka dhënë opinionin e tij, “fitoi PS-ja, fitoi Albert Halilaj si alternativa më e besueshme për qytetarët”, tha ai. Dy “shuplaka” nga Pandeli Majko brenda 5 muajve, nga ai që shihej si më i nënvlerësuari në raport me drejtuesit e tjerë politikë të PS.

Humbja në Kukës, Berisha “kyç” gojën, Meta e

Megjithatë, do të ishte në interes të tre deputetëve që bënë fushatën e kandidatit të Rithemelimit, të sqaronin demokratët se cilat ishin arsyet e humbjes së dytë radhazi në një bastion të së djathtës dhe për më tepër duke pësuar një rënie të konsiderueshme në vota. E njëjta gjë vlejti edhe për humbjen në Rrogozhinë në 23 korrik me 1700 vota diferencë nga 30 vota që ishte ndarja mes Shkëlqim Hoxhës dhe Edison Memollës në 14 maj, por analizë nuk pati, thjeshtë heshtje dhe përsëritje të akuzave klishe. Heshtja krijon konfuzion te demokratët dhe kjo i le terren të lirë teorive të konspiracionit që e lidhin rezultatin e 24 shtatorit në Kukës me një marrëveshje të mëhershme mes protagonistëve të mazhorancës dhe rithemelimit, me ndërhyrjen e një biznesmeni të fuqishëm pranë qeverisë.

A ishte e paracaktuar gara e të dielës në Kukës?

Komenti shkurt i Metës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, aleat koalicioni i Sali Berishës, ndryshe nga ky i fundit, nuk iu shmang gazetarëve. Edhe Meta daljen përpara kamerave e kishte për situatën shqetësuese në veri të Kosovës. Por i pyetur nga gazetarët, ai bëri edhe një koment për humbjen e kandidatit të mbështetur edhe prej tij, në Kukës. Dukshëm, Meta e relativizon disfatën e radhës elektorale por njëherazi shprehet i dorëzuar për atë që do të rezervojë e ardhmja politike përballë një mazhorance që në numër votash, çuditërisht vjen në rritje, pavarësisht nga konsumimi dhe jetëgjatësia në pushtet.

Humbja në Kukës, Berisha “kyç” gojën, Meta e

“Zgjedhjet e Kukësit janë thjesht një faqe më shumë në librin e zi të 14 majit dhe një tregues i partisë shtet që kontrollon në mënyrë shumë të qartë botën e qytetarëve shqiptarë. Pastaj nga kalimi në fitore në fitore kjo është histori e së kaluarës. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me çdo faktor opozitar për fuqizimin e opozitarizmit”, tha Meta. Tezat për bashkimin e madh opozitar apo për fuqizimin e opozitës, sa herë artikulohen nga Sali Berisha dhe Ilir Meta po aq herë rezultojnë klishe.

Çuditërisht të dy nuk arrijnë ta kuptojnë, ose bëjnë sikur, që përballë kanë një “makineri” elektorale e cila është shndërruar në një “hambar” të madh në vota sa duket sikur zgjedhjet i ka kthyer në instrument argëtimi dhe aspak në një ditë kur pushteti qendror apo ai lokal, “gjykohen” nga qytetarët. Dhe kjo ka ardhur nga “eliminimi” i opozitës si institucion i besueshëm te shqiptarët. Qytetarët sa herë janë para zgjedhjes, “të keqen më të madhe”, “apo të keqen më të vogël”, janë të prirur të votojnë këtë të fundit. Edi Rama sot për ta është “e keqja më e vogël”, përballë dy “të këqijave më të mëdha”!

Përçarja e demokratëve në bazë

Zgjedhjet e Kukësit treguan se përçarja e demokratëve në bazë është fakt i pamohueshëm. Kandidatit të Rithemelimit, Emri Vata i mungojnë 2 161 vota në raport me votat që mori Admir Sinamati në 14 maj. Ku shkuan 2 161 njerëz për 5 muaj? Këtë e shpjegon fakti i përçarjes. Pra këta 2 161 votues janë pikërisht ata që refuzojnë rithemelimin dhe Sali Berishën. Edhe pse 2 161 vota nuk mjaftonin për ta fituar Kukësin, demokratët - por ato do të ishin vota force dhe vullnet konkret për të sfiduar pushtetin. Pikërisht mungesa e këtyre votave e çoi diferencën mes kandidatëve, nga 2 031 vota që ishte në 14 Maj, në 5 594 vota në 24 shtator. Ndërsa socialisti Albert Halilaj ka marrë 1 393 vota më shumë se Safet Gjici. Edhe pas skandalit seksual të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Partia Socialiste rritet në vota. Por edhe kjo është e shpjeguar nga vetë qytetarët kuksianë dhe tregon perceptimin në një masë të konsiderueshme. Në prononcimet e shkurtra për mediat, një pjesë e mirë e tyre u shprehën se e prisnin fitoren e kandidatit socialist për shkak të reputacionit që Albert Halilaj kishte te bashkëqytetarët e tij, ndërsa e shkëputën krejtësisht skandalin e Gjicit nga raportet me PS-në. Pra, Rithemelimit i kishte rënë teza e fushatës me kryefajë “safetizmin”, një strategji e gabuar elektorale dhe menaxhim i gabuar i fushatës kur më tepër duhej ngritur dhe promovuar figura e Emri Vatës të cilin kuksianët nuk e njihnin shumë, për shkak se edhe nuk jetonte në Kukës.

Aleanca Berisha-Meta, projekt apo interesa okulte

Opozita e sotme, si e tërë, ka një mori problemesh. Sali Berisha vijon partneritetin politik me Ilir Metën, një aleancë e konsumuar dhe e dalë jashtë mode nga pikëpamja elektorale. Më shumë, bashkëpunimi Meta-Berisha, duket si një aleancë e nevojave politike të momentit se sa një projekt largpamës për qeverisjen dhe të ardhmen e vendit. Marrëdhënia Berisha-Meta ngjason simbiotike. Ilir Meta kërkon që një pjesë të elektoratit të PD ta marrë në partinë e tij falë Sali Berishës. Meta e di që Berisha ka biologjinë kundër dhe nuk e ka problem të presë edhe 2 apo 3 vite deri në jetësimin e strategjisë së tij për një PL po aq të faktorizuar sa LSI dikur. Pra, PL me bazë elektorale demokratët që po merr pas vetes Sali Berisha. Ndërsa Sali Berisha në situatën ku ndodhet, kuptohet se i intereson qëndrimi si faktor në skenën politike shqiptare, por pa patur qëllim sukseset elektorale. Sikurse, tanimë po kuptohet qartë se Berishës i intereson mbajtja pas vetes e një pjese të elektoratit të djathtë, jo për të sfiduar pushtetin, por ndoshta më tepër si “muskuj force” ndaj drejtësisë që herë pas here e “ngacmon” ish-kryeministrin dhe familjarët e tij.

Lëvizja surprizë e Lulzim Bashës

I vetmi që tashmë buzëqesh është Lulzim Basha. Ndoshta e dinte ose e parandjente rezultatin e Kukësit që në momentin kur nuk vendosi të nxjerrë kandidat përballë Rithemelimit dhe PS-së. Por në kushtet kur kandidatit të Rithemelimit i mungojnë mjaft vota në krahasim me 14 Majin, natyrshëm Lulzim Basha po i kërkon si të tijat, votat e munguara për kandidatin e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ndaj Basha u pa në një tur takimesh që me gjasë do të vijojë. Basha ka dy fronte hapur, i pari të bindë opinionin publik se nuk i shërben Ramës si patericë në Kuvend dhe se ka fuqinë të mundë Berishën dhe të sjellë demokratët në pushtet. Sesa fuqi politike ka për t'ja dalë, kjo do të shihet, por më shumë sesa fati i Lulzim Bashës që buzëqeshi në Kukës, humbja rikujton dobësimin e mëtejshëm të opozitës që për 36 orë nuk ka krijuar dot as një alibi për rezultatin./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB