
TIRANË- Me vetëm votat e mazhorancës, Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar projektligjin për rikthimin online të lojërave të fatit, i kundërshtuar ky nga eksponentë të opozitës dhe jo vetëm. Votimi u bë me 12 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim, ndërkohë që opozita e kundërshtoi projektligjin duke thënë se bastet u hoqën nga rruga për t’u çuar tashmë përmes telefonave në shtëpitë e çdo shqiptari.
Më herët ky projektligj ka kaluar dhe të “Ekonomia”, dhe pas përfundimit të votimeve në disa komisione të tjera, pritet që t’i kalojë për votim Kuvendit.
Zëvendësministrja për Ekonominë dhe Financat, Vasilika Vjero tha se nga kontrollet e kryera u vu re se bastet sportive nuk u larguan ansjëhërë.
Deputetja e PD, Dhurata Çupi ngriti disa shqetësime që shoqërojnë këtë rikthim të basteve sportive.
Pjesë e diskutimeve ka qenë ish Kryetari i Komisionit të Ligjeve, tani anëtar i komisioni Fatmir Xhafaj, i cili e ka konsideruar ligjin jo shumë të ndryshëm nga ligji i 2018 dhe jo shumë të ashpër.
Deputeti i PS-së, pyeti përfaqësues të drejtorisë së Lojërave të Fatit nëse ka shanse që me këtë ligj të mbahet nën kontroll fenomeni i trukimit të ndeshjeve.
“Unë jam dakord këtu me kriteret e vendosura me subjeket aplikues dhe me ato që lidhen, me komisionin e licensimit, me këshillin e mbështetjes së projekteve, pavarësisht se nëse mbetet ligji kështu siç është paraqitur do preferoja kritere shumë më të ashpëra se ato që u prezantuan këtu, për subjeketet dhe administratorët e tyre se nuk ka ndonjë ndryshim nga ato që kemi qenë. Duhet një detyrim më i lartë dhe taksa më të larta se 15 përqindshi që vendosej dikur. Unë nuk jam shumë mbështetës ndaj këtij ligji", tha Xhafaj.
Deputeti i PD-së Asllan Dogjani kujtoi premtimet e Ramës, kur erdhi në pushtet, një prej të cilave ishte pikërisht dhe mbyllja e kazinove, e tashmë duket se jemi rikthyer në pikën zero.
“Një nga armët më të forta që Rama erdhi në pushtet ishte mbyllja e kazinove, e kafeneve, që përdoreshin për të luajtur bixhoz. Të them të drejtën e kam vlerësuar si një nismë shumë me rëndësi, pasi plagët sociale, nga ato lojërat e fatit të vitit 2013 kishin krijuar probleme më shoqërinë shqiptare.
Ai arriti deri aty sa t’u thoshte nënave shqiptare se; ‘pagën e burrave do jua sjellim në shtëpi’. E kam vlerësuar si nismë shumë të mirë, pasi pasojat ishin të jashtëzakonshme, ishte rritur numri i vrasjeve, vjedhjeve, borxheve, sherreve, por këto lojëra fati na paskan vazhduar deri në 2018-ën. Deri në 2018 u ndërprenë.
Por pas këtij viti rezulton se 4 mijë individë apo kompani paskan punuar në të zezë. Por çfarë ndryshoi që po tentoni që t’i hapni bastet online? A nuk i shkatërron rininë këto baste? Ne kemi pasur dhe një studim nga Universiteti i Tiranës mbi plagët që ka lënë të të rinjtë këto baste.
Këto baste deri dje, kanë qenë fizikisht, edhe te dera e pallatit. Sot i keni futur në çdo derë, në çdo familje shqiptare përmes telefonit.
Nga krevati, nga dhoma e gjumit, nga kuzhina, çdo qytetar mund të vërë bast përmes telefonit. E morët nga rruga dhe e futët në shtëpi. Kjo qeveri ka dështuar në parandalimin e këtij fenomeni”, u shpreh Dogjani.
Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit. 31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve, më pas në vend në kuadër të operacionit "Fundi i Marrëzisë", gjithçka u ndalua. Edhe pse fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkën e shtetit. Por me ndalimin, kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n, ndërsa vitin e shkuar, u arkëtuan 12.8 milionë./Zëri