
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e së premtes në Tiranë, ku u plagos rëndë Zamir Kalemi, pasi u qëllua me breshëri plumbash në zonën e Selitës. Pas kqyrjes së pamjeve filmike, grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se Kalemi u mbajt nën vëzhgim nga autorët përgjatë gjithë ditës. Sipas burimeve, makina që ka ndjekur lëvizjet e Kalemit, ka shërbyer për largimin e autorëve nga vendi ku dogjën makinën në zonën e Bërzhitës.
Ka qenë vetë Kalemi ai që ka zbuluar të gjitha lëvizjet dhe itenerarin që ka ndjekur ditën e atentatit, që i ka shërbyer hetuesve për identifikimin e makinës që ka qënë në ndjekje të tij. Nga ana tjetër vetë Kalemi ka deklaruar se nuk ka mundur që të shohë personat që ishin në makinën që qëlloi drejt tij, pasi ngjarja është zhvilluar shumë shpejt. Burime bëjnë me ndije për Zërin se në atentatin ndaj 40-vjeçarit kanë marrë pjesë 4 persona, 3 prej të cilëve në makinën nga u qëllua Kalemi, dhe një tjetër në makinën që monitoroi lëvizjet e tij.
Çfarë dëshmoi pak ditë më parë Kalemi
“Në momentin që ka ndodhur ngjarja unë kam qenë duke u kthyer për në banesën time pasi konsumova një kafe. Unë nuk arrita të shikoj autorët dhe për shkak të të shtënave kam humbur kontrollin e makinës. Konflikte nuk kam me askënd”.
Kush është Zamir Kalemi
Zamir Kalemi është vëllai i Adriatik Kalemit, të cilit i janë bërë dy atentate në Greqi në shtatë muajt e fundit. Ngjarja e të premtes dyshohet se është si rrjedhojë e zinxhirit të vrasjeve që kanë nisur në Greqi që në vitin 2022 e më pas përplasjet janë zhvendosur në Shqipëri.
Si nisi saga e hakmarrjeve
Konfliktet e para kanë nisur për 700 kilogramë kanabis që janë zhdukur në Greqi. Fillimisht për këtë sasi droge dyshohet se janë vrarë dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, si dhe është zhdukur pa gjurmë miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi.
I pari që “pagoi” haraçin për kanabisin e zhdukur në vendin tonë ishte Aleksandër Sadikaj që u vra në mënyrë makabre me lëndë plasëse në makinën e tij në zonën e TEG-ut.
Në Greqi, Sadikaj përdorte tre gjeneralitete dhe një prej tyre ishte Aleksandër Kalemi, duke marrë edhe mbiemrin e dajës së tij, Andrea (Adriatik) Kalemi.
Duke marrë parasysh se i riu kishte disa skedime për vepra të ndryshme penale, ka pasur disa pista për vrasjen e tij, por përplasja për narkotikët është kryesorja. Dyshimet i shtoi babai i tij, i cili bëri me dije edhe për një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit nga Tepelena. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë.
Disa muaj më pas, u vra biznesmeni Edmond Papa. Rrethi u zgjerua, pasi shënjestra e radhës do të ishte Aleksandër Kalemi, të cilit iu bënë dy atentate në vendin fqinj. I pari ishte më 10 Gusht 2023, në ishullin Paxos, ndërsa i dyti më 15 dhjetor teksa ndodhej në burgun e Koridhalos, po në shtetin helen.
/ZËRI