
TIRANË- Partia e Lirisë përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se do të mbajë Konventën e saj në Tiranë. Sipas postimit, ajo do të mbahet 100 ditë pas arrestimit të kreut të saj Ilir Meta. Bëhet me dije se Konventa do të mbahet më 1 shkurt në orën ora 11:00, te Xhamia e Namazgjasë, Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit.
Për këtë ngjarje, PL njofton se kreu i saj, Ilir Meta, do të përcjellë mesazhin e tij për anëtarët e partisë dhe shqiptarët përmes një videolive nga qelia e tij e burgut.
“Gjithçka gati për Konventën madhështore të Tiranës!
Për herë të parë, 100 ditë pas rrëmbimit kriminal dhe fiks 100 ditë nga zgjedhjet e 11 Majit, Presidenti Ilir Meta do të përcjellë LIVE mesazhin e tij për anëtarët e Partisë së Lirisë dhe për të gjithë shqiptarët.
E shtunë, 1 Shkurt
Xhamia e Namazgjasë, Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit
Ora 11:00
Së bashku për Fitoren më 11 Maj të ‘5 Prioriteteve për 4 milion shqiptarë plus!”, thuhet në postim.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish./ZËRI