
TIRANË- Ish-ministri Lefter Koka është shpallur fajtor për akuzën e ‘korrupsionit’ dhe ‘pastrimit të parave’ dhe është dënuar me 5 vite e 8 muaj burg. Zëri.ai mëson se Koka është dënuar me 8.6 vite burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe pas hekurave do të qëndrojë 5 vite e 8 muaj. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që vulosi dënimet për të gjithë personat që u vunë në pranga pas zbulimit të aferës në inceneratorin e Elbasanit. Mbi Kokën rëndonte dhe akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’, e cila u rrëzua sot nga Gjykata.
Ndërsa, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako u shpall i pafajshëm. Për biznemenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, të cilët janë ende në kërkim, është pranuar gjithashtu kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe janë dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg secili.
Kokës iu konfiskuan edhe aksionet në kantinën e pijeve që janë në vlerën 3.7 milion euro, vlerë e njëjtë me korrupsionin e kryer prej tij.
Stela Gugallja u dënua me 4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar. Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri dhe Jonida Zeqo me nga 2.8 vite burg, ndërsa Serafin Papa u dënua me 1 vit e 4 muaj burg. Shoqëritë ‘Albtek SH.P.K.’ dhe ‘Integrated Energy’, tashmë menaxhohen nga shteti.
Dënimet e dhëna nga gjykata për inceneratorin e Elbasanit:
Lefter Koka u dënua 8 vite e 6 muaj burg, por me gjykim të shkurtuar dënohet 5 vite e 8 muaj
Klodian Zoto u dënua 10 vite burg, por me gjykim të shkurtuar u dënua 6 vite e 8 muaj
Mirel Mërtiri u dënua 10 vite burg, por me gjykim të shkurtuar u dënua 6 vite e 8 muaj
Stela Gugallja u dënua 7 vite burg, por me gjykim të shkurtuar u dënua 4 vite e 8 muaj
Alqi Bllako u shpall i pafajshëm
Pëllumb Abeshi u dënua 4 vjet burg, por me gjykim të shkurtuar dënohet 2 vite e 8 muaj
Jonida Zeqo u dënua 4 vite burg, por me gjykim të shkuartuar dënohet me 2 vite e 8 muaj
Serafin Papa u dënua 1 vit e 8 muaj burg./Zëri.ai/