
TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka shtyrë deri në fund të këtij viti afatin për ligjin e investimeve strategjike. Me këtë votim ‘Ligjet “ kanë hedhur poshtë propozimin e bërë nga deputeti socialist Eduart Shalsi, i cili kishte propozuar shtyrjen deri në vitin 2027. Në arsyetimin e saj kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka tha se do të pranohet vetëm shtyrja e afatit deri në 31 dhjetor 2024, jo 2027. Sipas Bushkës, ndryshimet për kushtet e kriteret e investimeve, nuk do të miratohen pasi duhet të përfshihen në ligjin final. Ky ligj po përgatitet dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë dhe Bankën Botërore.
Klotilda Bushka: Sugjeroj vetëm të shtyjmë vetëm afatin por të mos bëjmë ndryshime në kriteret e tjera, ndryshimet e tjera ti adresohen grupit teknik të punës që po bën ligjin e ri të investimeve.
Diskutimet sollën dhe një përplasje mes Shalsit dhe deputetit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit e cilësoi ligjin si një ligj korruptiv.
Debati:
Enkelejd Alibeaj: Qeveritarët janë përfshirë në vrimën e zezë të këtij ligji. Ju po i shtyni afatin një ligji që as ju nuk e besoni më. Ligj klientelist, autostradë e madhe korruptive. Interesi real, është për të thithur paranë korruptive dhe të zezë. Duhet të hetohen të gjitha procedurat e mëparshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, i bën nderë edhe qeverisë për të mos ndyrë duart edhe në këtë vorbull korrupsioni si ky ligj i investimeve strategjike. Duhet të tregoni që jeni me duar jashtë, që mbroni interesat e publikut, që nuk i shërben një kaste oligarkësh afër qeverisë për ta përdorur ligjin si plaçkë. Një iniciativë e tillë duhet të hidhet me neveri në koshin e plehrave.
Eduart Shalsi: Janë të mençur shqiptarët, e dinë çfarë bëni ju dhe çfarë bëjmë ne. Keqardhje për mënyrën edhe akuzat që vendosët, por ju kam kërkuar deputeteve që sugjerimet që bëhen në komision të ekonomisë gjëja e fundit është të shihet se nga vijnë.
Enkelejd Alibeaj: Bëni ligj për 40 veta, investitor strategjik që marrin pasuritë e këtij vendi për interesa të veta. Ku është mbrojtja e interesit publik. Pavarësisht kontestimit nga Alibeaj komisioni e miratoi projektligjin duke shtyrë vetëm afatin deri në fund të këtij viti. tashmë kjo nismë pret dritën jeshile edhe nga komisionet e tjera. Në projektligjin fillestar Shalsi kishte propozuar që vlera e propozuar për investime strategjike nuk duhet të jetë më pak se 50 milionë euro nga 1 milionë euro që ishte në ligjin e investimeve strategjike që i ka skaduar afati në dhjetor të vitit të shkuar.
Qellimi i projektligjit sipas relatorit Eduart Shalsi është miratimi i disa ndryshimeve në ligjin nr.55/2015 "Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar. Sipas tij, me anën këtij ndryshimi synohet: të rritet në mënyrë të konsiderueshme vlera minimale e projekteve të investimit, të cilat aplikojnë për status strategjik në sektor të klasifikuar strategjik sipas këtij ligji. Të detajohet procedura e paraqitjes së dosjes së projektit dhe vlerësimit të saj duke permiresuar afatet e shqyrtimit dhe duke theksuar përgjegjësisë që ka ministri linje. Të zgjatet afati i paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për perfitimin e statusit "Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e në zbatim të ligjit nr.55/2015, "Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë", deri në datën 31 dhjetor 2027./ZËRI