TIRANË- Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar pas emërimit të saj në postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Hysa konfirmon marrjen e detyrës dhe shpreh mirënjohje për besimin e dhënë, teksa iu përgjigjur pyetjeve të shumta që ka marrë nga miqtë dhe ndjekësit.
Në reagimin e saj, Hysaj konfirmon se është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe zbuloi mesazhin që, sipas saj, kryeministri i ka kërkuar të fokusohet te ngritja e institucionit dhe jo te përkatësia politike. Ajo thekson se mbetet demokrate, por jo më pjesë e Partisë Demokratike.
Postimi i plotë:
Përshëndetje, meqë kam marrë shumë pyetje në ëhatsapp nga miq ja përgjigja ime.
Po jam emëruar drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Jam shumë falenderuese për besimin dhe uroj ta justifikoj plotësisht.
Po e kam takuar Edi Ramën. Fjala që më mbeti në mend ishte: Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela.
Po jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike.
Uroj të respektoni lirinë dhe zgjedhjen time për të bërë një punë të re në një sektor ku kam punuar shumë vite.
Gjithkush është i lirë të spekullojë dhe thurrë teori konspirative. Por kush më njeh e di që unë i pres drutë shkurt.
Kaq kisha nga ana ime. Kush do më urojë punë të mbarë e falenderoj! Kush do më shajë dhe mallkojë e ngushëlloj.
Ditën e djeshme, Jola Hysaj u emërua në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke marrë zyrtarisht drejtimin e institucionit. Para këtij angazhimi, Hysaj mbajti funksionin e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike. Ajo u largua nga kjo detyrë në muajin mars të këtij viti, duke njoftuar njëkohësisht edhe dorëheqjen nga anëtarësia në këtë forcë politike./ZËRI
