Politikë

'PAMPURI'/ Si u përfshi politika në debatin për meritën e medaljeve të ‘Paris 2024’

Por përpos debatit se kush e fitoi vërtet medaljen e parë, nuk do të mungonte as përçarja e politikës për arritjet e sportit apo peshëngritjes dhe mundjes në këtë rast.

fjona ibrahimi
'PAMPURI'/ Si u përfshi politika në debatin për
Edi Rama. Sali Berisha, Ymer Pampuri, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev

TIRANË-  Shqipëria ka shkruar emrin e saj për herë të parë në listën e medalistëve të Lojërave Olimpike, duke siguruar në këtë edicion të aktivitetit madhor sportiv dy medalje të bronzta. Fillimisht mundësi Çermen Valiev në peshën 74 kg të stilit të lirë dhe më pas mundësi Islam Dudaev në peshën 65 kg të stilit të lirë, bënë që në podiumin e Lojërave Olimpike në Paris 2024 të valëvitej edhe flamuri shqiptar, si asnjëherë më parë. Por rezultati historik nuk kaloi pa përfshirë edhe politikën!

Ashtu si në të gjitha arritjet e Shqipërisë urimet dhe mbështetja nga figurat politike nuk kanë munguar. Një rast tjetër ky, ku kundërshtarët politikë do të replikonin me njëri-tjetrin edhe për sportin, duke mos u ndalur te fitorja historike por do të tregonin se sa të mirë informuar ishin për medaljet e vendit tonë. Shkak u bë medalja e parë olimpike! Por përpos debatit se kush e fitoi vërtet medaljen e parë, nuk do të mungonte as përçarja e politikës për arritjet e sportit apo peshëngritjes dhe mundjes në këtë rast.

"Molla e debatit" Ymer Pampuri

Ndër urimet për medaljen e parë të fituar nga Cermen Valiev, spikati ai i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndryshe nga të tjerët në reagimin e tij pretendoi se një arritje të tillë e ka shënuar edhe më parë peshëngritësi Ymer Pampuri në vitin 1972. Berisha u krenua me figurën legjendare, duke risjellë kampionatet e para të peshëngritjes.

“Miq, sot kreu i piramdës së mashtrimit Edi Rama paraqiti medaljen olimpike të Valiev si medaljen e parë në historinë e vendit. Këtij njeriu që shet injorancë, neveri dhe gënjeshtra nga mëngjesi në darkë dikush duhet t’i kujtojë se peshengritesi legjendë, Ymer Pampuri u kthye nga Olimpiada e Mynihut 1972 me medalje të artë!", shkruante Berisha.

'PAMPURI'/ Si u përfshi politika në debatin për
Fitorja e Pampurit, e propaganduar gjatë komunizmit

Kryeministri Edi Rama vendosi t’i përgjgjet, duke e sqaruar se medaljet nuk janë të fituara në të njëjtin stilt të mundjes. Kreu i qeverisë sqaroi se medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike. Rama madje e quajti reagimin e Berishës një xhelozi për arritjet e Shqipërisë, duke përfshirë emra të tjerë po ashtu legjendarë si ai i Pampurit.

Sipas tij duhet pranuar fakti që suksesi historik i medaljes së parë olimpike të Shqipërisë, lidhet edhe me përpjekjet e përbashkëta të këtyre viteve, kur vizioni dhe puna e admirueshme e drejtuesve të lartë të FSHF-së e të KOKSH-it, dhe janë harmonizuar me vizionin e me punën e përkushtuar të qeverisë për sportin, duke parë larg e duke bërë përditë nga një hap të vogël në një rrugë ende të gjatë.

“Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme duke dalë i pari në stilin e forcës (asokohe kishte tre stile gara e ngritjes së peshave), por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara. Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike. Po natyrisht pickimet e mizës e të mushkonjave tallagjare s’janë fare problem përtej këtyre shpjegimeve të  imponuara, të cilat nuk do t’i kisha shkruar nëse nuk do të më kishte neveritur keqpërdorimi i legjendarit Ymer Pampuri, që mbrëmë hyri padrejtësisht e pafajësisht në listën e gjatë të të vdekurve të këtij kombi, të cilët miza dhe mushkonjat e pavdekshme të urrejtjes e të gjelozisë në këtë vendin tonë të vogël, i ngrenë nga varri për t’i hedhur në fushën e luftrave të tyre qorre, kundër sukseseve të Shqipërisë në çdo fushë, në çdo rast dhe në çdo kohë.”-iu përgjigj Rama.

'PAMPURI'/ Si u përfshi politika në debatin për

Por a fitoi Ymer Pampuri një medalje në Lojërat Olimpike?

Në fakt, Rama kishte të drejtë. Peshëngritësi Ymer Pampuri zuri vendin e 1-rë në stilin e forcës, të 12-tin në shkëputje dhe të 10-tin në shtytje, çka për Olimpiadën nuk kishin asnjë lloj renditje zyrtare. Pampuri është pra i 9-ti në renditjen përfundimtare të tregarëshit të Olimpiadës së Mynihut. Gara e 29 gushtit 1972 ka qenë një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, po ajo ka në mes, atë verë të 72-shit, edhe shqiptarin Ymer Pampuri, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jepet medalja e Kampionit të Botës.

Lojërat Olimpike të vitit 1972 për turneun e peshëngritjes kanë qenë pra edhe Kampionat Botëror, madje ndërsa Olimpiada jep vetëm 3 medalje: të artë, të argjendtë, të bronztë vetëm për renditjen si tregarësh, për Kampionatin Botëror jepen medalje për katër kampionë të botës në çdo peshë për secilin stil, si dhe për tregarëshin. Eshtë pikërisht kjo rregullore që e shpall Ymer Pampurin Kampion të Botës në stilin e forcës. Pra, Ymer Pampuri u shpall kampion bote në stilin e forcës në garat e 1972 në peshëngritje dhe jo një kampion Olimpik.

Është pikërisht ky detaj që e bëri triumfin e dy përfaqësuesve të Shqipërisë në lojërat olimpike, një mollë sherri për debatin politik në vend.

Por tashmë debati është shuar. Të dy tashmë kanë mbërritur në Shqipëri, ku Dudaev dhe Valiev do të marrin secili nga 50 mijë euro shpërblim. Pas shpërblimit do t’u ofrohet edhe një vend pune në ushtrinë shqiptare, në gradën “kolonel”, titull që iu garanton një pension të kënaqshëm dhe trajtim preferencial nga shteti shqiptar. Të shpresojmë se edhe politika do të bëjë paqe dhe do të heqë dorë nga kori i përqafimit të çdo fitoreje edhe kur nuk i takon./ZËRI

Poll

MOS HUMB