Politikë

Kampet e refugjatëve, Meloni: Sytë e gjithë botës do të jenë mbi ne, të jemi të kujdesshëm, do na vënë shkopinj nën rrota

Meloni është shprehur se zbatimi i protokollit duhet të bëhet në mënyrë të përpiktë, për shkak se marrëveshja pritet dhe shihet me interes dhe nga vende të tjera

E.K
Kampet e refugjatëve, Meloni: Sytë e gjithë botës do të
Giorgia Meloni

ITALI- Edhe pse Italia ende nuk i ka marrë në dorëzim kampet e refugjatëve, kryeministrja Giorgia Meloni ka dalë me porosi për anëtarët e partisë së saj, që të jenë të kujdesshëm me zbatimin e protokollit, pasi sytë e gjithë botës do të jenë mbi ta. Meloni është shprehur se protokolli duhet të zbatohet me rigorozitet, pasi sipas saj, personat që do t’iu vendosin shkopinj nën rrota do të jenë të shumtë.

“Brenda pak javësh do të jetë gati Protokolli me Shqipërinë dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe skrupuloz ndaj këtij projekti sepse sytë e botës i kemi mbi ne. Të gjithë e kuptojnë se kjo nismë mund të ndryshojë tërësisht mënyrën e menaxhimit të emigracionit të parregullt. Ata të cilët janë të interesuar që emigracioni i paligjshëm të vijojë, do të përpiqen të na vënë shkopinj nën rrota”, ka thënë Meloni, sipas ANSA.

Marrja në dorëzim e kampit të refugjatëve në Shëngjin ka mbetur ende pezull, për shkak të procedurave të ndryshme që janë zvarritur.

Qendrat ishin parashikuar të hapeshin me 1 shtator, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndërsa ende nuk ka një datë tjetër fikse. Ndërkohë për punonjësit e qendrës është publikuar një rregullore e brendshme me 14 urdhëresa në total, për sjelljen apo raportin që duhet të kenë me popullin shqiptar gjatë qëndrimit të tyre apo ndërveprimit për shkak të punës. 

Italia dhe Shqipëria arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit./ZËRI

Poll

MOS HUMB