
TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se Partia Demokratike që ai prfaqëson nuk do ta pranojë në mënyrë kategorike "Primin". Primi nënkupton që partia që merr më shumë vota në rang kombëtar, të ketë një numër plus deputetësh, në mënyrë që të sigurojë shumicën qeverisëse. Por sipas Alibeajt ky sistem që aplikohet në disa vende të tjera bie ndesh me kushteturën e Shqipërisë, që ka si parim të sajin barazinë e votës.
“Në kushtetutën shqiptare ka vetëm një parim, barazia e votës. Barazia e votës e kuptuar jo thjesht që vota e cdo qytetari të peshojë njësoj, por edhe sa i përket konvertimit të votës së qytetarëve në mandate. Lidhur me primin, sot që po flasim sistemi që kemi në vetvete në mënyrë okulte e përmban një prim që ka deformuar edhe rezultatin e zgjedhjeve” - tha Alibeaj.
Alibeaj tha se sistemi aktual përmban një prim okult. Ai solli si shembull zgjedhjet e fundit ku partia që fitoi zgjedhjet e 2021 ka marrë në mënyrë parazitare sipas tij 6 mandate deputetësh.
“Sot partia që ka rezultuar fituese në 2021 ka marrë vetëm 48% të votës së qytetarëve. Do të duhet të kishte 48% të mandateve në Kuvend të 140, pra diku te 68 mandate. Ka 74, pra ka marrë 6 deputetë në mënyrë parazitare. Ky është primi okult, prandaj ne jemi kundër” - u shpreh Alibeaj.
Deputeti demokrat gjithashtu është shprehur se më mirë sistemi të jetë me koalicione, pasi sipas tij koalicionet kanë një mundësi të mirë që ti bien ndesh autokracisë së njëshit të partisë që merr gjithçka.
“Nuk ka shans të pranohet primi, siç është në sistemet e tjera. Sot është e udhës që shqiptarët të qeverisen nga ato forca politike për aq sa mandate dhe mbështetje i japin. Nëse doni të dini për mua, është mirë sistemi me koalicione sepse koalicionet kanë një mundësi të mirë që t’i bien ndesh autokracisë së njëshit të partisë që merr gjithçka” - tha më tej Alibeaj.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zgjedhoren, shprehën rekomandimet e tyre kryetarët e partive të vogla./ZËRI