SHKODËR- Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka dhënë pëlqimin e tij prë riorganizimin e Bashkisë Shkodër në kuadër të ligjit të ri për ndarjen e re administrative- territoriale. Me 26 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim, Këshilli miraton dhënien e pëlqimin për ndryshimet në reformën territoriale.
Kundër votuan këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike, të cilët shprehën kundërshtitë e tyre. Sipas tyre, nisma është një projekt i Partisë Socialiste dhe synon reduktimin e numrit të bashkive në vend, nga 61 aktualisht në 46.
Sakaq, votimi u shqërua me debate. Këshilltarët demokratë argumentuan Këshilli Bashkiak i Shkodrës nuk mund të japë një vlerësim për këtë projekt, teksa e cilësuan vendimmarrjen si një favorizim ndaj mazhorancës.
“Projektligji duhet trajtuar i plotë, jo diku duam ta lexojmë e diku s’duam ta lexojmë. Ky vendim nuk i përket Këshillit Bashkiak Shkodër të japë një vendim të plotë. Pëlqimi për projektligjin më thotë që duhet të shkrij bashkinë Libohovë. Refuzoj të jap një mendim për Libohovën.”, tha Imeld Sokoli Anëtar i Këshillit Bashkiak nga rradhët e PD-së
“Praktikisht nga Velipoja deri në Theth ka nevojë për një rishikim për mënyrën si funksionon. Ky territor nuk mbulohet në mënyrë të njëtrajtshme me shërbime. Nëse voton për kryeministrin ke dhe fonde” , tha Florjan Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak, PD
“Po i bën shërbim Partisë Socialiste. Po hedh në votim këtë propozim. Nuk është normale”, tha Irena Shestani anëtare e Këshillit Bashkiak, PD
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Bashkiak Oltion Luli hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke theksuar sipas tij, se ky projektligj nuk ka ardhur nga PS-ja por nga Kuvendi.
"Ky projektligj nuk ka ardhur nga partia socialiste por nga Kuvendi. Deputetët e PD nuk kanë sjellë asnjë projektligj për të diskutuar. Ne nuk prekemi nga ndryshimi i kufijve. Ka një riorganizim të brendshëm. Ndryshon skema në bashki, qytet dhe njësi administrative”, tha Luli.
Me këtë vendim, Këshilli Bashkiak shprehet pro për krijimin e 2 qyteteve të reja në territorin e Bashkisë Shkodër, qyteti i Dukagjinit dhe qyteti i Velipojës, të cilat marrin statusin qytet nga njësi administrative që janë deri më tani.
Tashmë, Këshilli i Bashkisë Shkodër e miratoi dhënien e pëlqimit për reformën e re territoriale bashkë me propozimet përkatëse pavarëishr debateve dhe kundërshtimeve. Vendimi dhe propozimet e miratuara do t’i përcillen Kuvendit./ZËRI