Politikë

Kolegët ia përjashtuan, Paloka pas vendimit të “Etikës”: Unë nuk isha fare në sallë…

Paloka nuk ka qenë fare pjesë e seancës plenare të të hënës, ku edhe deputetët e opozitës dogjën karriget e Kuvendit.

k.m.
Kolegët ia përjashtuan, Paloka pas vendimit të
Edi Paloka

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ishte i vetmi nga 24 deputetët e PD që u përjashtua me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Por ka diçka! Paloka nuk ka qenë fare pjesë e seancës plenare të të hënës, ku edhe deputetët e opozitës dogjën karriget e Kuvendit. Në një intervistë të dhënë për "KlanNews", Paloka ironizoi vendimin e Sekretariatin e Etikës që megjithatë e dënoi edhe pse mesa duket pa faj!

“Përjashtim interesant. Jam dënuar më pak nga të gjithë, do thuash ti apo kushdo se kam treguar tolerancë me Edin. Kur je pa faj fare, nuk të dënojnë shumë. E di ti që unë nuk kam qenë fare atje?! Unë nuk isha as në mbledhje për disa arsye, as kur u hoqën karriget e as kur u dogjën. Kam hyrë në sallë me vonesë, në vetë filmimet që kanë shpërndarë duket që unë nuk kam bërë asgjë. Nuk kam bërë asgjë! Këta janë tolerantë, s’janë aq të këqinj sa duken. Edhe Salianjin e dënuan me 1 vit burg se mund ta dënonin me 5 vite. Nuk janë aq të zinj!,”-tha Paloka.

Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë (e cila do mbahet në datë 8 tetor) dhe mosbindje civile. Por aksioni nisi të hënën nga Kuvend me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. Por tashmë, si Noka e Bardhi, edhe 22 deputetët e tjerë janë të përjashtuar. Dënimin më të ulët e ka Edi Paloka, me 10 ditë përjashtim. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale./ZËRI

Poll

MOS HUMB