
TIRANË-Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e së martës u shqyrtua dhe miratoi Aktin Normativ nr. 1 “Për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e vitit 2024”. Akti Normativ për ndryshimin e ligjit për buxhetin e vitit 2024 u miratua pa asnjë votë kundër.
Deputetja Milva Ekonomi gjatë mbledhjes detajoi ndryshimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2024, në rialokimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, reduktimin me 4 miliardë lekë të deficitit. Ajo argumentoi nevojën e rishikimit të buxhetit, me qëllim reflektimin në buxhetin vjetor të riorganizimit të ministrive të reja, sipas fushave të përgjegjësisë funksionale përkatëse, si dhe nevoja për disa rishikime në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit të vitit 2024.
“Akti Normativ nr. 1 “Për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2024” sjell rritje të të ardhurave të përgjithshme të buxhetit me 10.7 miliardë lekë; rritje të shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit me 6.7 miliardë lekë dhe redukton deficitin buxhetor me 4 miliardë lekë”, u shpreh Ekonomi.
Gjithashtu deputetja shtoi se toku i pritshëm i garancive në fund të vitit 2024, rritet me 4 miliardë lekë për mbështetjen me garanci shtetërore të huas së bizneseve private në sektorin e industrisë përpunuese.
Tashmë buxheti i rishikiuar pritet të kaloj në parlament në seancën e radhës.Kreu i komisionit të ekonomisë sqaroi se mbledhja e radhës do të bëhet fizkisht. Rishikimi i buxhetit u bë për shkak të riorganizmit të ministrive dhe rritjes së të ardhurave me gati 11 mld lekë e ndikuar nga performanca pozitive e skemës së sigurimeve shoqërore. Ndryshimet në buxhet parashikojnë një mbëshetje të veçantë prej 4 miliardë lekësh edhe për fasonët në formën e një garancie sovrane. Ky sektor është ndër më të prekurit për shkak të dobesimit të euros./ZËRI