
TIRANË- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka vendosur që të mos i heq mandatin kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, pavarësisht dënimit të tij në shtetin grek.
Në arsyetimin e tij Celibashi tha se vepra penale për të cilën Hajdari është dënuar në shtetin grek, ajo e kalimit të paligjshëm të kufirit nuk e ndalon atë që të kandidojë për kryetar bashkie. Rrjedhimisht sipas Celibashit, ky dënim nuk kishte se pse deklarohej në formularin e dekriminalizimit.
Vendimi i KQZ u prit me protesta nga kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë në zgjedhjet e 14 Majit, Lefter Maliqi, i cili tha se çështjen do ta çojë deri në Strasburg.
"Vepra penale për të cilën ai është dënuar nuk e pengon që të kandidojë. Jemi duke diskutuar që subjekti ka pasur detyrimin që ta deklaronte këtë vepër penale. Në respekt të precedentëve që KQZ ka pasur nga viti 2020, ne kemi mbajtur qëndrim se nuk ka detyrim subjekti që të paraqesë rrethana që e nuk e ndalojnë të mbajë detyrën publike. Rasti më i freskët është ai i zotit Zef Hila.
Janë dhe disa raste të tjera. Përtej faktit që kjo është një praktikë e konsoliduar, qëndron bindja që një subjekt nuk ka detyrimin që të përfshijë të dhëna që nuk përbëjnë shkak për të mos kandiduar. Nuk ka një shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati", u shpreh Celibashi gjatë dhënies së vendimit.
Në fjalën e tij para se të jepej vendimi, avokati i Hajdarit, Theodhori Sollaku thja semasa ndaj Hajdarit është dhënë kur ai ishte i mitur.
“Rasti i Qerim Ismailit flet në favorin tonë. Lidhur me problematikat që ngriti iniciuesi, keni një vendim me dënim qortim shoqëror. Në ato vite kodi jonë nuk ka pasur vendime të tilla. Në janar të 2018 është miratuar ligji për të mitur, aty janë parashikuar disa masa të ngjashme dhe në finale është parashikuar që nëse ke masa të tilla, quhesh person i padënuar. Pra nëse prokuroria ndesh nje situatë që parashikon ky ligj, është e detyruar të mos e filloj, por nëse nuk e ka bërë prokuroria, gjykata duhet ta pushojë cështjen.
Edhe sikur të pranohet cfarë është iniciuar, ne rivlerësojmë që nuk quhet i dënuar. Sa i përket rastit të dëbimit të vitit 2017, ne nuk kemi dijeni, se janë informacione policore, por aty është thënë që në 2017 është hedhur në sistem ajo që ka ndodhur në vitin 1999”, u shpreh Sollaku.
Pak ditë më parë përmes një shkrese, ishte prokuroria e përgjithshme ajo që njoftoi KQZ-në zyrtarisht për dënimin e Hajdarit në Greqi, për kalim të paligjshëm të kufirit.
/Zëri.ai