
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka konfirmuar këtë të martë se është në hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Kryemadhi tha, se vëllai dhe nëna e saj nuk kanë përfituar asgjë nga paratë publike, ndërsa shtoi se ajo ka jetuar me paratë që vijnë nga familja dhe puna e saj. Sipas Kryemadhit, sot të gjithëve po u kërkohet që të justifikojnë pronat që kanë. Deklaratën deputetja e Partisë së Lirisë, e bëri e ftuar në "Real Story".
Monika Kryemadhi: Është perceptim i sponsorizuar. Për hir të së vërtetës, ajo shprehja: Po, jo, nuk më… Ajo shprehje në KDK, nuk ishte për SPAK, ishte për llafazanët që flisnin në emër të SPAK dhe në këtë këndvështrim unë kam një eksperiencë, që nuk intimidohem, as nuk kërcënohem, as nuk merren peng, për shkak të karakterit. Më 24 janar kemi 30 vjet bashkë. E urova, por nuk më ktheu përgjigje. I kemi mesazhet me fshirje, sepse kur është instaluar, është me fshirje. Është një perceptim i sponsorizuar. Unë e kam analizuar, por të gjitha thash e themet që sponsorizohen, dhe ndahen në media, kanë ardhur me origjinë nga Bashkia e Tiranës. Të gjitha deklaratat për arrestimin e Metës edhe Kryemadhit për mua kanë një origjinë që vijnë nga Bashkia e Tiranës. Ju e dini se gjysma e deputetëve janë në SPAK për hetim pasuror si puna ime. Jam në hetim pasuror. Mamaja dhe vëllai im nuk kanë fituar asnjë para publike nga Inceneratorët. Po na bëjnë vetting në një farë mënyrë. Secili nga na duhet të justifikojë pronat. Monika Kryemadhi nga viti 1992 ka jetuar me paratë që kanë ardhur nga familja dhe puna e saj.
SPAK po proceson dy hetime mbi çiftin Meta të bashkuara me një fraksion. Procedimi i parë lidhet me një kallëzim që është bërë në Prokurorinë e Posaçme nga avokati Idajet Beqiri, ku akuzon çiftin Meta për akuzën e Korrupsionit, Pastrimit të parave dhe fshehjes të të ardhurave. Në këtë denoncim përmenden ndërhyrjet estetike që Meta dhe Kryemadhi kanë bërë jashtë vendit, dhe sipas Beqirit nuk kanë deklaruar. Hetimi i dytë lidhet me episodin e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohur ndryshe si lobimi 700 mijë dollarësh. Në kallëzim thuhet se partia që drejtohej nga Ilir Meta, pagoi mijëra dollar për të lobuar për një fotografi me Donald Trump. Mes letërporosive të përcjella, SPAK po pret ende përgjigje nga Qipro dhe nga San Marino. /ZËRI