
TIRANË- Kandidati për deputet në listën e Beratit, i cili nuk ia doli që të sigurojë një vend në Kuvend, Lefter Maliqi ka sulmuar Enno Bozdon. Në një intervistë për Report TV, Maliqi shprehu pakënaqësitë me Partinë Demokratike dhe drejtuesin politik të qarkut të Beratit, Bozdon.
Sipas tij, në qarkun e Beratit humbën mandatin e tretë (pra mandatin e tij) për shkak të bojkotit që i ishte bërë nga Bozdo. Maliqi tha se pakënaqësitë e tij, ia kishte bërë me dije edhe kryedemokratit Sali Berisha.
Më tej, shtoi se ishte sulmuar si nga maxhoranca, por edhe nga opozita. Duke lënë të kuptohet se votat preferenciale i ishin tjetërsuar.
"Mandat i tretë i qarkut të Beratit është i sigurt, me vajtjen time atje. I treti u humb drejtpërdrejt nga drejtuesi politik i PD, Enno Bozdo. Ia kam bërë të ditur edhe opozitës dhe doktor Berishës. Meqenëse opinioni u hap se Maliqi fiton, ishte xhelozi e brendshme dhe u fokusuan të gjithë fuqitë e PD hidh gurin e fshehur dorën në bashkinë Kuçovë dhe komunën Otllak, duhet të isha fitues edhe më i thellë. Jo vetëm që nuk u prezantova, por keqpërdori disa struktura dhe më ndiqte nga pas mua, madje edhe në Skrapar. Kjo xhelozi më ka habitur dhe shokuar. Problemi është i thjeshtë. Jam i shokuar me këtë, por e vura në dijeni edhe zotin Berisha. Madje, nga Berisha kam pasur edhe falënderim edhe telefonata. Por aq e madhe ishte xhelozia, saqë marrëveshja ishte që në të gjithë Shqipërinë të kishim numërues te fletët e kandidatëve,”- u shpreh Maliqi.
Por nuk u ndal me kaq! Ai sfidoi Bozdon duke thënë që meqenëse pretendon ka mbështetje të madhe, të japë dorëheqjen dhe të kandidojë për bashkinë e Beratit.
“Që të fitonte Rama 83 mandate. Gabimet tona duhet t’i kemi. Sali Berishën nuk e ndiqnin dot, keqardhje 81 vjeç nga Selaniku vinte në Kuçovë, ndërkohë që gjysma e drejtuesve politikë ishin jashtë loje, për shkak të sistemit të mbyllur. Një pjesë e tyre rrinte në Tiranë, një pjesë në dreka. Psh Beratin e lanë zonën të zbuluar, vinin prezantonin kandidatët edhe nëpër fshatra, dhe lanë 30 fshatra në Berat pa i prekur. Sepse merreshin të gjithë në Kuçovë dhe Otllak, në zonën time. Mos të dalë Maliqi. E gjithë loja është që saqë demokratët dhe socialistët e zhgënjyer thoshin se ça po bëhet me Maliqin. Tani problemi qëndron se kemi zgjedhjet lokale në Berat, dhe i bëj një thirrje Enno Bozdos, të japë dorëheqje meqenëse ka mbështetje të gjerë popullore, dhe të kandidojë për bashkinë e Beratit. Nëse është Bozdo drejtues politik atje, nëse vazhdo me këtë sundo dhe përça, do të humbin thellë të gjitha bashkitë. Me Enno Bozdon jo më se nuk i shes më demokratët. Njeri që të qesh, por të fut thikën pas shpine. Njeri që nuk do demokratët, por shikon interesat e veta. Nëse është i Soros, të rrijë atje apo nëse është bandit. Nuk ka asnjë arsye të sulmosh Lefter Maliqin,”- shtoi ai./ZËRI