
TIRANË- Blendi Gonxhja ka marrë një post të ri nga kryeministri Edi Rama. Sot, kreu i qeverisë, njoftoi në llogarinë e tij "X" krijimin e një ministrie të re, në krye të të cilës do të jetë tashmë ish-kreu i DPSHTRR. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se do të ketë një dikaster të ri që do të bëjë bashkë Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, si tre sfera që duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën. Ndaj dhe shtoi se po sot do t'i dërgojë propozimin e tij tek presidenti Bajram Begaj.
"Kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes. Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës,"-shkruan ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë që ende nuk dihet kujt do t'i besohet posti i tij si shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
NJOFTIMI I PLOTË:

Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes. Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës. * Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane.
Por me krijimin e ministrisë së re, ka edhe ndryshime tek ato ekzistueset. Shkrirja për ministrinë e re ka lënë pa punë tashmë ish-ministren e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa me këtë lëvizje të re nga kryeministri Edi Rama, Ervin Mete do të mbetet vetëm ministër i Financave. Tani, pritet vetëm verdikti nga presidenti, që me shumë gjasa do të emërojë Gonxhjan në postin e tij të ri. Vetëm deri më tani nga ai nuk ka pasur asnjë reagim, ndërsa të "heshtjen" për lëvizjen nga detyra ka ndjekur edhe Margariti dhe Mete./ZËRI