
TIRANË- Është zhvilluar me diskutime të forta dhe debate mbledhja e Komisonit të Ligjeve këtë të hënë, e para fizikisht që pas kaosit të shkaktuar nga opozita që spostoi mbledhjet e komisioneve parlamentare online. Kreu i grupit të Partisë Demokratike Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij është shprehur kundër aktit normativ për rishikimin e buxhetit. Sipas tij, ai është antikushtetues dhe nuk reflekton problemet që ka ekonomia.
Gazment Bardhi: Ka një praktike disavjeçare, që ndërhyhet dy apo tri herë, me akt normative në buxhetin e shtetit. Ky është abuzim me të drejtën që ka Këshilli i Ministrave për të miratuar në kushte nevoje dhe urgjence masa të përkohshme me akt normativ. Mirëpo ky nuk është rasti. Ndaj gjykoi se pikësëpari bie ndesh me kushtetutën dhe është qartësisht marrje e kompetencave nga ana e Këshillit të Ministrave të kompetencave të Kuvendit. Nuk ka asnjë garanci dhe ndërhyrje në këtë akt normative sa i përket sektorëve të rëndësishëm ekonomik. Kemi biznesin fason që po falimenton dhe po krijon qindra të papunë. Shifra që qeveria synon për këtë sektor nuk e është e mjaftueshme. Qeveria ka deklaruar kur u miratua ligji korruptiv i Portit të Durrësit që nuk do paguhet asnjë lek nga buxhet, tani na thotë do paguajmë 400 milion euro. Qeveria ka gënjyer Parlamentin.
Por debate ka pasur dhe brenda të djathtëve. Kështu Dashnor Sula ka vijuar të jetë kritik i dakortësisë së arritur mes Gazment Bardhit dhe Bledi Çuçit për rikthimin e normalitetit në Kuvend. Gjatë fjalës së tij tek Komisioni i Ligjeve, Sula tha se ky është një normalitet i rremë.
Dashnor Sula: Mbas 5 muajsh për të folur për procedurë është shumë normale. Për rikthimin e normalitetit ndihem i lumtur, por më shumë sesa i lumtur. Të bëjmë sikur nuk ndodhur asgjë për 5 muaj dhe të vijmë këtu e të bëjmë sikur nuk ndodhur asgjë, kur në fakt kanë ndodhur shumë gjëra për cenimin e demokracisë. Do të mundohem që t’ua bëj të qartë të gjithëve që ky kthim në normalitet është diçka që duhet të kishte ndodhur që më 5 tetor, gjë që mazhoranca e bëri me dhunë dhe kokëfortësi. Kjo marrëveshje është një fake i pastër, sepse çfarë marrëveshje ka arrit PS me PD, atë që i takon opozitës sipas rregullores dhe Kushtetutës. Çfarë bëri mazhoranca? Bëri atë që ndryshuat ligjin dhe ne sot kemi një ligj që s’ka asnjë lloj vlere për t’u ngritur dhe hetuar. Nuk mund të rri dhe të jem hipokrit. Ky është një normalitet i rremë. Ndryshuat rregulloren e Kuvendit dhe kjo do të thotë se nëse nesër ndodh një protestë qytetare, i hiqet mandati deputetit duke e përjashtuar. Në 5 muaj keni kaluar ligje pa diskutime, përfshirë dhe buxhetin. Shkaku ishit ju për shkak të sjelljes së dhunshme që me forcën e kartonit i ndërprerët të drejtën opozitën, ndaj unë nuk do i lejoja vetes të isha indiferent. Marrëveshja u bë në Tiranë, tymi plasi në Sazan.
Ndërkohë një debat i fortë është regjistruar më herët dhe mes Asllan Dogjanit dhe Toni Gogut. Deputeti demokrat Asllan Dogjani iu drejtua kolegëve socialistë me fjalë "Dele". Ndërsa Gogu i kërkoi të ruante qetësinë./ZËRI