Politikë

Ligji i ri për Turizmin, Kumbaro: Si do formalizohen apartamentet dhe vilat me qira

Kumbaro dha detaje në lidhje me ligjin e ri për Turizmin dhe për Investimet Strategjike

k.m.
Ligji i ri për Turizmin, Kumbaro: Si do formalizohen apartamentet dhe vilat
Mirela Kumbaro

TIRANË- Në mbledhjen e sotme të qeverisë, janë miratuar ndryshimet në ligjin për turizmin që sipas ministres Mirela Kumbaro ishte e domosdoshme, duke marrë parasysh rritjen e numrit të turizmit në vitin e fundit. Kumbaro tha se turizmi tashmë synohet që të zgjatet në të gjitha stinën, dhe të ketë oferca gjithëpërfshirëse.

“Sot miratuam në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, ndryshime për një ligj të rëndësishëm. Turizmi ka qenë e do jetë kryefjalë, ligji i 2015 nuk i përgjigjej realitetit dhe dinamikave të reja. Edhe vizioni I qeverisë është shumë më i avancuar se ligji i 2015. Kjo bënte të nevojshme nevojën për ndryshime ligjore, qoftë për realitetet e reja në tregun e turizmit, kërkesat e konsumatorit, për të dhënë garanci më shumë për shërbime më cilësore. Është një mekanizëm edhe për formalizimin e tregut të turizmit.

Garantojmë konkurrencë të ndershme, raport të ndershëm me tatimet në shtet. Gjithashtu institucionet e turizmit që janë brenda ministrisë, ishte e nevojshme që praktika reale të pasqyrohej në ligjin e ri. Nga ana tjetër japim disa nxitje në ligjin e ri për zhvillim të qëndrueshëm gjithëvjetor, me oferta. Fusim disa dispozita që japin një rëndësi më të madhe statistikave në turizëm. Ky draft ka muaj që punohet, është diskutuar në shumë tryeza dhe po ecën paralelisht me dy nisma të tjera, si strategjia kombëtare e turizmit 2024-2030, e cila do mbyllet brenda pranverës së këtij viti”, u shpreh Kumbaro.

Ndërkohë në vijim të kësaj edhe Ministri i Financave Ervin Mete tha se qartësimi i kuadrit fiskal që lidhet me detyrimet e reja që lindin për operatorët që futen në sistem pagese do të bëhet vazhdimisht.

Në vijim të asaj që tha ministrja për Turizmin, sektori siç kërkon vëmendje të dedikuar për rregullimin kërkon edhe një vëmendje të dedikuar për qasjen fiskale në mënyrë që ky sektor të japë kontributin e vet në ekonomi por edhe në buxhetine  shtetit, duke pasur një taksim sa më të drejtë.

Në ligjin që propozohet sot nga qeveria është parashikuar një dispozitë ku në vijim të saj Këshilli i Ministrave do të ketë qasje ndërvepruese me sektorin në mënyrë që të hartohet një metodologji që shërben si metodologji referuse për kapacitetet shfrytëzuese të strukturave akomoduese sipas sezoneve të caktuara.

Në ditët në vijim, Ministria e Financave do të publikojë dhe disa sqarime lidhur me përgjegjësitë e qiradhënësve në këtë sektor apo individëve që përdorin platforma, që të jenë sa më të qartë në përgjegjësitë e tyre tatimore dhe një qasje sa më bashkëpunuese me tatimpaguesit që ti përgjigjen përgjegjësive fiskale” tha Mete.

Ministrja foli dhe për ndryshimin e ligjit për investimet strategjike, që sipas saj duhet ti përshtatet realitetit të ri në të cilin ndodhet sot vendi.

“Lidhur me ligjin për investimet strategjike, duhen unifikuar disa prej praktikave ligjore, që janë ndërmarrë në këto 19 vite. Kur shikojmë sot që flitet për 17 hotele që janë ndërtuar ose janë në fazë ndërtimi me katër ose pesë yje, kemi një realitet krejt të ri sa i përket investimeve strategjike. Në kontekstin kur ne flisnin për 10 milionë turistë në 2030, kjo flet për një treg që nuk ishte parashikuar dhjetë vjet më parë kur ligjet ishin planifikuar, ligjet përmirësohen dhe amendohen. Në tregun e organizuar që kemi dhe që duhet t’i përgjigjemi viti 2030. Duhet të kemi paketë ligjore të unifikuar dhe s’ka nevojë të jetë e copëzuar. Është krejt normale që ligjet përmirësohen dhe amendohen me ndryshimin e realitetit ku operojnë. Ne po punojmë në të gjitha sektoret për vitin 2030”, vijoi Kumbaro.

Taksimi i apartamenteve dhe vilave

Ligji i ri për turizmin pritet të sjellë ndryshime domethënëse në koncepte në raport me ligjin e 2015-s. Në tetor 2023 kur drafti i parë u publikua për konsultim specifikohej taksimi i apartamenteve dhe vilave.

Në atë kohë te strukturat ishin shtuar edhe disa të reja të tilla. Konkretisht në renditjen e strukturave akomoduese ligji saktësonte disa njësi.

“Apartament” është njësi banimi, e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, e përbërë minimalisht nga një dhomë ndenje ose kuzhinë, një ose më shumë dhoma gjumi dhe me të paktën një tualet.”

“Bllok apartamentesh” janë dy ose më shumë apartamente të cilat menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik.

“Dhomë” nënkupton një njësi të veçantë të një ndërtese rezidenciale / biznesi ose e një ndërtese banimi, në të cilin ofrohet shërbimi i akomodimit për turistët.

“Vilë” është një ndërtesë e veçantë me oborr dhe hapësirë kopshti e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, në zona turistike.

“Hotel Trashëgimi Kulturore” është një strukturë akomoduese e vendosur në objekte të trashëgimisë kulturore, të njohura nga organet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

“Hotel i shpërndarë” është një strukturë akomoduese, i cili ofron shërbimet e mikpritjes për vizitorët, i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, ekzistuese, afër njëra tjetrës, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik” thuhet në ligj.

Drafti parashikonte që çdo sipërmarrës që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet që brenda 30 ditëve nga regjistrimi në QKR të paraqitet tek ministria përgjegjëse për turizmin me kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.

“Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB