
TIRANË- Qeveria shqiptare ka kontaktuar me kompaninë amerikane të konsulencës, "Boston Consulting Group", si këshilltare për identifikimin e mekanizmave për të shtyrë edhe më tej luftën kundër korrupsionit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama autorizoi ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja dhe Ministren për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdenin për të negociuar me kompaninë. Po ashtu, kërkohet që të shqyrtohet mundësia që në këtë "luftë" të përdoret edhe Inteligjenca Artificiale.
Në vendim sqarohet se negocimi ka në objekt 3 fusha, të cilat janë:
E para: Analizë për identifikimin e mekanizmave eficientë dhe dhënien e rekomandimeve për luftën kundër korrupsionit, duke u fokusuar në veçanti në rishikimin e funksioneve dhe organizimit institucional të institucioneve të administratës shtetërore, aspekteve së strukturës të sistemit ministror dhe proceseve vendimmarrëse, me qëllim rritjen e eficiencës dhe eliminimin e hapësirave korruptive.
E dyta: Analizë dhe rekomandime, me qëllim parandalimin e korrupsionit në ofrimin e shërbimeve publike përmes rritjes së eficiencës dhe llogaridhënies
E treta: Analizë dhe rekomandime për mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në proceset vendimmarrëse dhe atë të ofrimit të shërbimeve, me qëllim eliminimin e hapësirave të mundshme korruptive.
Kush është kompania "Boston Consulting Group" dhe për çfarë është e specializuar?
Boston Consulting Group është një firmë konsulente globale që bashkëpunon me liderët në biznes dhe shoqëri për të trajtuar sfidat e tyre më të rëndësishme dhe për të kapur mundësitë e tyre më të mëdha. BCG ishte pioniere në strategjinë e biznesit kur u themelua në 1963. Në faqen e tyre në rrjet, kompania shkruan se punon ngushtë me klientët për të përqafuar një qasje transformuese që synon të përfitojë të gjitha palët e interesuara—duke fuqizuar organizatat që të rriten, të ndërtojnë avantazhe të qëndrueshme konkurruese dhe të nxisin ndikim pozitiv shoqëror./ZËRI