TIRANË-Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mëngjesin e sotëm në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”. Rama deklaroi se konferenca ka të bëjë me algoritmet dhe ekosistemet e informacionit. Sipas tij, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm me ushtrinë, por gjithnjë e më shumë me aftësinë për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të ruajtur besimin te institucionet.
Edi Rama: Në pamje të parë, kjo konferencë ka të bëjë me algoritmet dhe ekosistemet e informacionit. Në realitet, ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore. Ka të bëjë me demokracinë, me besimin e publikut dhe, më së fundmi, me faktin që shoqëritë e lira zotërojnë strategjinë e mbrojtjes. Sot, ne duhet të mbrojmë diçka të padukshme, sakaq jetike: hapësirën ku qytetarët tanë shkëmbejnë gjykimin dhe bëjnë zgjedhjet e tyre të lira. Fuqia nuk matet më vetëm me fuqinë e ushtrive, e kjo është diçka së cilës në mënyrë obsesive i kthehem në çdo bisedë që zhvilloj me aleatët dhe partnerët tanë, kur vjen fjala për shpenzimet e mbrojtjes.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek protesta e qytetarëve, e njohur si 'Revolucioni flamingo'. Ai solli rastin e protestave në Tiranë, si një shembull tipik dezinformimi që sipas tij u shfrytëzua nga aktorë armiqësorë për të goditur vendin tonë.
Edi Rama: Duhet të jeni informuar për të ashtuquajturën revolucion i flamingove. Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarje që edhe krijuar, që u bë një mënyrë për të hyrë armiqtë tanë. Ecim me vendosmëri drejt fazës së anëtarësimit në BE, është me rëndësi të forcojmë rezistencën ndaj sulmeve hibride. Sa më afër shkon një vend drejt BE, aq më shumë rreken aktorët e huaj, për të hyrë tinëzisht brenda dhe për të sulmuar. Ne jemi pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt.
Kryeministri u ndal edhe te sulmet klibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë ka ndërtuar një nga sistemet më të forta të mbrojtjes kibernetike në Europë.